Bota “Detektivë anti-Covid”, strategjia e Belgjikës për lehtësimin e masave

“Detektivë anti-Covid”, strategjia e Belgjikës për lehtësimin e masave

Belgjika do të rekrutojë 2000 detektivë të posaçëm të cilët do të gjurmojnë njerëzit që kanë qenë në kontakt me pacientët e prekur nga Covid-19, dhe t’i nxisë të izolohen, si pjesë e planeve të qeverisë për të lehtësuar masat e bllokimit nga 3 maji. Belgjika ka më shumë se 40 mijë raste dhe 7000 te vdekur.

Aktualisht, Belgjika ka numrin më të lartë të viktimave në krahasim me numrin e popullsisë, të çdo vendi në botë. Ajo ka 525 vdekje për një milion banorë, krahasuar me 310 në Francë, 227 në Holandë dhe 261 në Mbretërinë e Bashkuar.

Belgjika ka zbatuar kufizime të ngjashme me vendet e tjera europiane gjatë pandemisë, duke hapur vetëm dyqanet ushqimore, kopshtet dhe farmacitë.

Megjithatë nga 4 maji shumë biznese do të lejohen të hapin dyert dhe njerëzit do të jenë në gjendje të përdorin edhe transportin urban.

Të rriturit dhe fëmijët e moshës 12 vjeç e lart do të duhet të veshin maska ​​në transportin publik dhe për të ndihmuar në prodhimin e maskave, dyqanet që shesin pëlhura do të rihapen.

Të gjitha dyqanet në Belgjikë do të lejohen të rihapen nga 11 maji, në kushte të rrepta distancimi shoqëror, dhe shkollat ​​do të mirëpresin përsëri disa nxënës nga 18 maji, por klasat do të kenë maksimumi 10 nxënës.

Njerëzit do të jenë në gjendje të organizojnë darka të vogla familjare në shtëpi duke nisur nga 18 maji, si dhe të vizitojnë muze dhe të shkojnë në parukeri.

Në mënyrë të pazakontë, Belgjika përfshin në bilancin e viktimave numrin e të vdekurve në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit, ku Covid-19 dyshohet si shkak i vdekjes, por nuk konfirmohet.

Këto përbëjnë rreth gjysmën e të gjitha vdekjeve në Belgjikë. Qeveria thotë se qëllimi i saj është transparenca e plotë, teksa kritikët thonë se shifrat po dëmtojnë reputacionin ndërkombëtar të Belgjikës.

Hapja ngadaltë e Belgjikës nga bllokimi vjen pasi vendet e tjera evropiane po ndërmarrin gjithashtu masa të ngjashme.

Italia gjithashtu ka caktuar 4 majin si ditën kur masat kufizuese do të lehtësohen, me miliona italianë të jenë në gjendje të kthehen në punë.