Kryeministri Rama zhvilloi një bisedë telefonike mbrëmjen vonë të martën me Ministrin e Jashtëm të Greqisë Dhendias, lajm që u konfirmua edhe nga një postim në Twitter i përfaqësuesit të qeverisë greke.
Biseda mes Ramës dhe kryediplomatit grek, u zhvillua pak orë përpara se parlamenti grek (këtë të mërkurë) të miratojë marrëveshjen e arritur mes Greqisë dhe Italisë për kufirin detar.
Një çështje që në fakt prej shumë vitesh vazhdon të jetë e pazgjidhur edhe në raportet mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Teme e bisedës telefonike Rama-Dhendias ishte edhe tensioni aktual në Mesdheun Lindor mes Greqisë dhe Turqisë.
Rama mban edhe postin e kryediplomatit shqiptar që pas largimit të Ditmir Bushatit, kështu që biseda telefonike me Dhendias ishte më së shumti në kuadër të këtij roli që mbulon në këshillin e ministrave veç të qënit kryeministër.
Ndryshe nga twitter-i, i Dhendias, nga qeveria shqiptare nuk ka pasur njoftim zyrtar për këtë bisedë.