Ish-Komandanti i Forcave Detare, që ka udhëhequr negociatat e ndarjes së kufirit detar me palën italiane rrëfeu këtë të enjte në Top Channel sesi Shqipëria u tërhoq nga shtrirja 15 milje në vitin 1990.
Vladimir Beja, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” tha se Shqipëria ishte shtrirë 15 milje, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare në periudhën kur ishte anëtare e Traktatit të Varshavës.
Por, në fund të viteve ’80, vendi ynë mori një ultimatum.
“Në 1975 qeveria shqiptare vendos t’i shtrijë ujërat në 15 milje në kundërshtim të plotë me çdo shtet. Ka qenë akt paradoksal. Ky ligj u kthye mbrapsht, por Shqipëria vazhdonte me 15 milje, deri në vitin 1989 kur erdhi nota amerikane. E kam pasur mbi tavolinë kopjen e notës së qeverisë amerikane nëpërmjet ambasadës franceze, ku thoshte në mënyrë ultimative; tërheqja nga 15 milje në 12 milje. Morëm një ultimatum nga SHBA që të tërhiqemi në 12 milje në atë kohë dhe në vitin 1990, qeveria e asaj kohe u tërhoq në 12 milje”, tregon ai.
Beja kujton dy momente nga negociatat me italianët.
“Së pari ishte tërheqja nga 15 miljet dhe pranimi i vijës bazë dhe së dyti ishte statusi i ishullit të Sazanit. Italianët pretendonin se ishte i pabanuar. Kjo ka qenë një fazë e vështirë e negociatave dhe them sot se nëse ne do të pranonim propozimin e italianëve për Sazanin, do të humbnim 100 milje det”, deklaroi ai.
Profesor/Doktor Eqerem Yzeiri, pedagog i gjeografisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës kërkon që në negociata me grekët të bëhet kujdes me termat.
“I vetmi parim i që duhej zbatuar ishte ai i baraslargësisë. Termi i “korrektuar” në parimin e baraslargësisë lë shumë vend për interpretime”, thotë Profesor Yzeir