Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me zgjerimin e Greqisë me 12 milje në detin Jon. Selia blu thotë se ka ngritur një grup ekspertësh të së drejtës së detit dhe asaj ndërkombëtare dhe po shqyrton këtë çështje.
PD thotë se deri në momentin që mes dy shteteve nuk ka një marrëveshje, atëherë ato duhet të sillen në një mënyrë që të mos venë në rrezik ose të pengojnë arritjen e marrëveshjes përfundimtare.
PD thotë se çështja ka nevojë për transparencë dhe informacion të detajuar, por kryeministri Rama ka zgjedhur të fshihet pas sulmeve vulgare.
PD mbështet zgjidhjen e çdo cështje të mbetur pezull në marrëdhëniet me fqinjët përmes negociatave transparente duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, por në asnjë mënyrë duke cënuar të drejtat dhe integritetin territorial të Shqipërisë.
Kësaj deklarate, iu përgjigj me ironi kryeministri Edi Rama në Twitter duke thënë: “Hapu det se vajmedet ka dalë të të mbrojë Lulzimi me PD! Të qash për ata që vazhdojnë e hanë për djathë sapunin e PD apo të qeshësh me këtë Artist që s’e ka shokun për të bërë sikur?Je i madh Lul, sinqerisht, shyqyr s’u more me shitje djathi se do kishim mbetur pa copën e sapunit”.