Nëse mendoni se koha kur robotët dhe inteligjenca artificiale do të na zërë vendet e punës nuk ka ardhur ende, gaboheni.
“Deutsche Bank”, një prej bankave më të mëdha në botë do të zëvendësojë 18 mijë punonjës të saj me robotë si pjesë e një plani afatshkurtër ristrukturimi.
Mark Matthews, kreu i operacioneve dhe investimeve në këtë bankë tha për “Financial News” se inteligjenca artificiale, falë algoritmave vetëmësues (autodidaktë) rritën masivisht prodhimin dhe kapacitetin e institucionit, e për më tepër i kursyen miliona dollarë.
2019 ka qenë një vit i vështirë për “Deutsche Bank”. Për muajin tetor banka raportoi “vetëm” rënie me 15 për qind të fitimeve në krahasim me tetorin e 2018. Në korrik, banka gjermane njoftoi planin për të shkurtuar 18 mijë vende pune brenda tre viteve të ardhshme. Përmes robotizimit të një pjese të madhe të shërbimeve të saj, banka planifkon të kursejë rreth 6.6 miliardë dollarë.
Për këtë arsye, shifrat po e shtyjnë gjithnjë e më shumë drejt robotëve. Matthews thotë se makineritë ndihmuan në kursimin e 680 mijë orëve punë manuale dhe se deri më tani inteligjenca artificiale është përdorur për të procesuar rreth 8.4 milionë transaksione në total.
Vitin e kaluar, banka gjermane shkurtoi 4700 vende pune dhe rreth 1000 të tjerë që prej muajit korrik të këtij viti.