Kryesore Dhëndri i Trump, investitor strategjik në Shqipëri, Berisha: Rama po ofron Sazanin...

Dhëndri i Trump, investitor strategjik në Shqipëri, Berisha: Rama po ofron Sazanin për të blerë influenca politike

Lideri i opozitës, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor ishullin e Sazanit për të blerë influenca politike.

Në ishull do të zhvillohet projekti i një hoteli luksoz, pjesë e të cilit është edhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, i cili u shpall investitor strategjik.

“Prej të paktën që nga viti 2001 gjer sot, Sazani iu është ofruar biznesmenëve të huaj në mënyrë periodike. Kjo është oferta e radhës, të cilën pa diskutim Edi Rama e bëri për të blerë influenca politike.

Por, një ofertë e cila plotëson rregullat ligjore, ne kemi deklaruar se nuk kundërshtojmë ofertat që bazohen në respektimin e ligjeve dhe rregullave të vendit”, tha Berisha në një bashkëbisedim online me ndjekësit.

“Pavarësisht, theksoj dhe njëherë, se Edi Rama e ka përdorur atë për qëllime politike, por kjo është në tagrin e shqiptarëve të bëjnë vlerësimin e tyre për këtë përdorim”, tha Berisha.

Komiteti i Investimeve Strategjike që drejtohet nga kryeministri Edi Rama ka miratuar statusin e investitorit strategjik për projektin 1.4 miliardë Euro të Kushner për ndërtimin e resorteve luksoze në ishullin e vetëm të Shqipërisë.

Në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike, citohet se “projekti i investimit i plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike”. Më tej theksohet se resortet turistike do të ndërtohen në një sipërfaqe 45 hektarë tokë, si dhe parashikohet përmirësimi dhe riparimi  marinës aktuale në Sazan.

Duke qenë se ishulli i Sazanit është në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe pjesë e planit të përhapjes së ushtrisë, vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike është paraprirë nga një dekret i Presidentit që e ka nxjerr nga plani i përhapjes së FA këtë zonë.

Kushner nuk do të jetë i vetëm në këtë investim, pasi në vendim sqarohet se edhe shteti shqiptar do të jetë bashkëpjesëmarrës në investim.