Kulturë Dhimbja nuk mbahet para ikjes së poetit Vasil Tabaku

Dhimbja nuk mbahet para ikjes së poetit Vasil Tabaku

Esse nga Raimonda MOISIU

Shuhet Vasil TABAKU, shkrimtari, poeti, publicisti dhe gazetari veteran i RTSH dhe në ATSH.

Sikush prej nesh është udhëtar në udhëtimin e trishtë e të lumtur të jetës. Eh pra, në këtë udhëtim ku ka jetë edhe vdekje, ecim në paqartësitë dhe të papriturat e jetës, dhe askush prej ne nuk e di se çfarë do të ndodhë, si do e përjetojmë një çast gëzimi, hidhërimi e lajmi të trishtë. Edhe pse ndarja nga jeta është dialektika e jetës, njeriu përsëri e përsëri gjen forcë, kurajo, respekt dhe dashuri të ngushëllohet mes vedit dhe me njëri-tjetrin, me mendimin se jeta dhe drita e trashëgimisë që njeriu lë pas sfidojnë vdekjen, duke i ruajtur virtytet dhe vlerat e tyre ende “të gjalla” si dikur edhe në vazhdim me përjetësinë e emrit dhe veprës së tyre. Na krijohet ndjesia e realitet dhe e çasteve të dhimbshme e të trishta që na trazojnë paqen shpirtërore. Lajmin e trishtë se u nda nga jeta shkrimtari, poeti dhe publicisti, një burrë fisnik, koleg i mrekullueshëm, vlerë qytetare, baba dhe bashkëshort dinjitoz,- Vasil Tabaku – e mësova nëpërmjet rrjetit social Facebook. Familja humbi njeriun model dhe prindin shembullor, ndërsa komuniteti i shkrimtarëve dhe gazetaria shqiptare humbi pasionantin e letërsisë, poetin, shkrimtarin, kontribuesin produktiv e të palodhur në letrat shqipe, art, kulturë dhe historinë e një kombi.

Ndjej një emocion të veçantë teksa shkruaj këtë esse, për këtë vlerë të çmuar qytetare dhe e letrave shqipe, ndikimin e thellë të veprave të tij në shoqëri, art, kulturë dhe historinë e një kombi.

Në një nga ato ditët e nxehta të korrikut, 2013, isha në Tiranë, kur në celularin tim u shfaq numri i poetit e publicistit Vasil Tabaku. Deri atë çast njiheshim nëpërmjet eksperiencës krijuese si dy miq e kolegë virtualë në rrjetet sociale. E lamë të pinim kafe në qendër të Tiranës, te Bar – Kafe “Europa”, mjedis i njohur ky, ku mblidhen e takohen intelektualë, shkrimtarë, poetë e gazetarë, kafe e biseda “për qejf të poezisë e të letërsisë”. Ishte një ditë e këndshme dhe impresionuese mes kolegësh. Por edhe diçka më shumë! Vasili më dhuroi dy libra të tij e sapobotuar; -romanin “Baleti i drerit të plagosur” dhe vëllimin me poezi “ Dhimbjes i rrinë të vogëla, këpucët e heshtjes”.

Poeti dhe publicisti i njohur, Vasil Tabaku i prezantohet audiencës së lexuesve dhe botës shqiptare, si një ndër autorët mjaft interesantë e mbreselënës i dhjetra vëllimeve në të treja gjinitë; poezi, prozë dhe publicistikë, ndërkohë është autor i mijra editorialeve gazetareske, esse, analiza dhe opinione social- ekonomike- politike e kulturore. Dhe kjo nuk erdhi krejt rastësisht, por as e papritur.

Shkrimtari dhe publicisti, Vasil Tabaku është autor i dhjetra librave në disa gjini si poezi, prozë, publicistikë, analiza e esse me të cilat ai tashmë ka krijuar influencën e tij në letrat shqipe dhe publicistikën shqiptare dhe ballkanike.

Shkrimtari dhe Poeti Vasil Tabaku, duket si një personazh që sikur vjen nga “Muzeu Historik i EPOKAVE dhe LETRAVE SHQIPE”, -zërin e kontributin e tij e kini dëgjuar jo vetëm në emisionet Radiofonike por edhe në RTSH.

Poezinë e poetit Tabaku e njoh mire, kam shkruar edhe një studim, stili dhe pena poetike e poetit Tabaku njihet për harmonizimin e bukur, zhvillimit të identitetit të pjekur poetik dhe gjetjes poetike brenda detajit artistik, kujdesit estetik e filozofik, tonit qytetar e intelektual dhe vargjeve lirike, c’ka ai deklamon atë që askush nuk e mendon, imagjinon dhe të paparashikueshmen. Poezia e poetit Tabaku deklamon më shumë se fjalët që reflektohen në tekstin melodioz muzikor të një kënge. Ne dëgjojmë përmes tingujve muzikorë të ndryshëm notat e shpirtit tradicional e klasik, por poetët nuk janë pinjollë të muzikës, ata janë njerëz të talentuar që krijojnë vargje falë dhuntisë dhe imagjinatës poetike të tyre. Si poezia dhe muzika të ngjallin emocione se i këndohet, jetës, dashurisë e dhimbjes,-asaj njerëzores. Argumenti është sekondar, finishi poetik i vargjeve është primar. Fjalët dhe veprat janë mënyrat indiferente të energjisë hyjnore e njerëzore, ku fjalët janë vepra dhe veprat në një farë mënyre janë fjalët. Nëpërmjet metaforës poezia prodhon afërinë mes detajeve jetësore e njerëzore, filozofike e artistike, që kurrë nuk i kemi menduar më parë se ato do të mund të bashkëjetojnë të veshura me artin e fjalës së bukur. Teksa lexoja poezitë e vëllimit “Dhimbjes i rrinë të vogëla këpucët e heshtjes”, mendoja se poeti Tabaku nuk është një poet “ i famshëm”, por ai është një poet i mrekullueshëm dhe njeri i jashtëzakonshëm.

Ky fakt është shumë më e rëndësishme e domethënës për mua, se sa pyetjes që mund të lindë, se a po shkruaj për dikë të njohur…?! Ky vëllim poetik reflekton personalitetin e maturuar poetik të autorit, që është i dallueshëm për qartësitë dhe skepticizmin e tij ndaj realitetit e përvojave jetësore, kur koha duket sikur mbaron. Karakteristikat e tjera të stilit të tij poetik plot ajër dhe liri, janë forma të strukturuara të hapjes me botën shpirtërore, psikiken e humanen, tërheqjes drejt momentit poetik nga njëra anë dhe ndaj jetës në anën tjetër, imazhin e simbolit të dhimbjes e harmonisë, dashurisë dhe përjetimit shpirtëror, dhembshurinë, heshtjen dhe pikëllimin, vetëdijen e mosvetëdijen, pranë e larg. Të gjithë takohemi në këtë jetë jo thjesht për mirë apo për keq, por në marrëdhëniet me njerëzit gjithsecili prej nesh, pret një përgjigje sa herë ka pyetje në “fushëbetejën”-e jetesës e mbijetesës.

Por ajo ç’ka e bën atë të shquar,- ai ka rekord botimesh rreth 5450 shkrime publicistike, analiza politike, sociale, shoqërore si dhe shkrime të veçanta studimore në fushën e letërsisë, folklorit dhe kritikës letrare, në këto organe: “Drita”, “Zëri i Rinisë”, në revistat: “Nëntori” e “Ylli”. Pas vitit 1991 ka botuar kryesisht në: “Rilindja Demokratike (RD)”, “Tribuna Demokratike”, ”Republika”, ”55”, ”Koha Jonë”, ”Liria”, “Ballkan”, “Sot”, ”Tema”, ”Metropol”, ”Lajmëtari i Lirisë”, ”Drita”, ”Shkodra”, ”Bota Sot” në Zvicër etj. Po ashtu Vasil Tabakun e gjemë me poezi e tregime nëpër gazeta e revista si: “Drita”, “Zëri i Rinise”, “Ylli”, “Nëntori” dhe më pas edhe në: “RD”, “Republika”, “Drita”, “Tema“ etj.

– Vasil Tabaku është autor i rreth dyzet e pesë dokumentarëve artistik televiziv në TVSH dhe ATN – 1. Ka realizuar me qindra emisione televizive dhe radiofonike në “TVSH”, “ATN – 1”, në “Radio Kontakt”, “Radio Nacional” dhe së fundi edhe në Radion Ndërkombëtare “IRIB”.

VEPRAT LETRARE:“Hyrja e Pranverës“, poezi, 1976, “Në të gjitha ditët“, poezi, 1981, “Me këngën time dhe jetën“, poezi, 1987, “Ndërrimi i epokave“, studime, 1988, “Bota në sytë e mi”, ese, 1990, “Klithmë drite“, poezi, 1998, “Vit i mbrapshtë”, “Zgjim i dhimbjes“, ese dhe studime social – shoqërore, 1999, “Vështrim i ngrirë”, poezi dhe ese, 2000, “Shqipëria në udhëkryq, apo politika e kryqëzuar?”, studime dhe artikuj politikë, 2001, “Shkolla Iraniane dhe Shqipëria”, studime dhe intervista me akademikë dhe personalitete të shquara, 2005, “Monumentet e munguara të Demokracisë”, libër eseistiko – publicistikë, 2006, ”Baleti i drerit të plagosur“, roman, 2007,“SHKOLLA IRANIANE DHE SHQIPËRIA”, është përkthyer në gjuhën persishte, Teheran, 2004, “Dhimbjes i rrine te vogela kepucet e heshtjes” Tirane 2012

ËSHTË PREZANTUAR:Hasan Hasani: “LEKSIKONI I SHKRIMTARËVE SHQIPTARË 1501 – 2001”, Prishtinë 2003, Ferdinan Laholli: “ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE – ANTHELOGIE DER MODERNEN ALBANISCHEN LYRIK”, Holzminde/Germany,

Përveç kësaj veprimtarie të begatshëm e të larmishme, që përmendëm më lart Vasil Tabaku, një pjesë e krijimeve poetike i janë përkthyer edhe në gjermanisht, italisht dhe persisht. Ai njeh mirë italishten dhe rusishten.

Prehu në PAQE, miku im!

Të qoftë dheu i lehtë, koleg i shtrenjtë dhe i mrekullueshëm!

I përjetshëm kujtimi e vepra e Poetit dhe Shkrimtarit Vasil Tabaku