Covid-19 “zbarkon” te Reali i Madridit. Kryesuesit e kampionatit spanjoll kanë njoftuar se dy lojtarë të skuadrës kanë rezultuar të prekur nga koronavirusi. Bëhet fjalë për brazilianin Marcelo dhe kroatin Luka Modriç.
Klubi madrilen nuk ka dhënë asnjë detaj më shumë, teksa në njoftimin për media vetëm është dhënë njoftimi se dy lojtarë kanë rezultuar pozitiv në teste.
Të dy lojtarët nuk do të jenë të disponueshëm për trajnerin Carlos Ancelotti për ndeshjen e kësaj jave me Cádiz, si dhe për takimin me Athletic Bilbaon. Të dy futbollistët janë izoluar, por tashmë ekziston frika se mund të ketë të tjerë të infektuar në radhët e “mbretërorëve”.
Sipas protokollit, për 10 ditë lojtarët do të qëndrojnë të izoluar, edhe nëse janë të vaksinuar si në rastin konkret. Tek Reali i Madridit nuk ka pasur të infektuar që para fillimit të edicionit, kur rezultuan pozitivë Karim Benzema, David Alaba dhe Álvaro Odriozola. Si Marcelo, ashtu dhe Modriç me shumë gjasa do të kthehen me grupin në fillimin e vitit të ardhshëm, por gjithçka do të vendoset nga gjendja e tyre shëndetësore.