Aktualitet Dhuna barbare ndaj kushërinjve Maja, “arrest me burg” për 3 anëtarë të...

Dhuna barbare ndaj kushërinjve Maja, “arrest me burg” për 3 anëtarë të grupit Rraja, ‘detyrim paraqitje’ për pronarin e lokalit

Në Gjykatën Penale të Tiranës, gjyqtari Ardit Mustafaj vendosur të pranojë kërkesën e Prokurorisë dhe të vendosë masën e sigurimit “arrest në burg” për 3 anëtarë të grupit Rraja, konkretisht Ineidi e Andi Rrajën dhe Eni Kullajn, të cilët u përfshinë në dhunën barbare ndaj dy kushërinjve Jashar dhe Bilbil Maja disa ditë më parë.

Pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, Kujtim Përadaku, u la nën masën “detyrim paraqitje”. Përdaku, akuzohet për “moskallëzim krimi”.

Sipas pretendimeve të tyre në seancën gjyqësore, Eni Kullaj dhe Kujtim Përdaku, kanë mohuar kategorikisht që të kenë ushtruar aktet e dhunës. Ata kanë pranuar që të kenë qenë në lokal me anëtarët e grupit Rraja, por kanë mohuar që të kenë lidhje me ushtrimin e dhunës, pasi sipas tyre, ata nuk janë shfaqur duke ushtruar dhunë ndaj dy kushërinjve Maja.

Në dëshminë e tyre dy të dhunuarit kanë dhënë detaje për sulmin ndaj tyre.

“Kam shquar të hyjnë Xhemal dhe Flamur Rraja, të cilët kanë qenë të armatosur dhe më kanë kërkuar të shtrihem në tokë. Mes tyre kam shquar dhe pronarin e gurores. Flamur dhe Xhemal Rraja, vëllezërit e deputetit të PS-së Rrahman Rraja, më kanë goditur në kokë e trup. Dhe persona të tjerë, të afërm të tyre na kanë goditur pa pushim duke ana lënë pa ndjenja”, ka deklaruar Bilbil Maja.

Ende nuk ka një informacione se çfarë kanë pretenduar Ineidi Rraja dhe Andi Rraja, familjarë të ish-deputetit të PS-së, Rrahman Rraja. Ky i fundit pas publikimit të pamjeve filmike dhe nisjen e hetimeve të personave të tij të afërt për dhunë barbare ndaj 2 kushërinjve Maja, ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit ditën e djeshme.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë janë shpallur në kërkim Rexhep Rraja, Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja.