Tre punonjës policie të Komisariatit Nr.1 të Policisë së Tiranës janë pezulluar nga detyra dhe ndaj tyre ka nisur hetimi disiplinor për shkelje të rënda lidhur me dhunën e ushtruar ndaj fëmijës 3 vjeç në kopshtin “Stinët”, ngjarje e denoncuar nga emisioni Stop.
Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht për këtë rast dhe policët janë pezulluar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Kështu, janë pezulluar nga detyra zv/shefi i Komisariatit Nr.1, R.D.; shefi i seksionit për hetimin e krimeve Y.Ç. dhe specialisti për hetimin e krimeve, E.B.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se pas denoncimit të prindërve të fëmijës për dhunën në kopsht, strukturat hetimore kanë kryer veprime procedurale dhe materialet i kanë referuar në Prokurori për vlerësim brenda afatit që përcakton ligji.
Por, është konstatuar se veprimet nuk janë kryer të plota pasi nuk ishte bërë kqyrja e pamjeve filmike të kamerave që ndodhen në ambientet e kopshtit.
Pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e kopshtit janë analizuar pas transmetimit të rastit në emisionin Stop në Tv Klan ditën e hënë, 6 Nëntor.
Njëkohësisht është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe edukatorja Majlinda Dehima, e cila shfaqet në pamje duke dhunuar fëmijën në kopësht. Ajo akuzohet për keqtrajtim i të miturve.
Policia e Shtetit fton mediat dhe qytetarët që të denoncojnë rastet e abuzimit të punonjësve të Policisë me detyrën, duke iu garantuar reagim të ashpër ndaj tyre, sepse për Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme është shumë i rëndësishëm procesi i vetëpastrimit nga radhët e Policisë, i punonjësve që abuzojnë me detyrën dhe me ligjin.