Dhunoi 3-vjeçaren në kopsht, zbardhet dëshmia e edukatores: E godita me vizore të bindej për të marrë pjesë në mësim
Edukatorja e kopshtit “Stinët”, Majlinda Dehima, është shoqëruar në polici për dhunën ndaj vajzës 3-vjeçare.
Edukatorja e kopshtit “Stinët”, Majlinda Dehima, e cila u denoncua nga emisioni investigativ “Stop”, është shoqëruar në polici për dhunën ndaj vajzës 3-vjeçare.
Sipas dëshmisë së saj para uniformave blu, mësohet se ajo ka deklaruar se e ka goditur me vizore jo për të dëmtuar, por për ta bindur që të marrë pjesë në mësim teksa ka shtuar se vajza e vogël nuk kishte vëmendjen dhe nuk përfshihej, ndryshe nga fëmijët e tjerë në klasë.
Ndërkohë, ajo ka pretenduar se e ka dërguar vajzën për të fjetur gjumë dhe më pas e vogla nuk ka pasur shqetësime. Sipas saj, 3-vjeçarja ka fjetur për rreth 2 orë e gjysmë dhe kur është zgjuar, i ka shprehur shqetësime se ndjente dhimbje.
Ajo ka thënë se më pas është kuptuar se vajza kishte dëmtuar këmbën, teksa pretendon se vajza mund të ketë qenë dëmtuar tek krevati, pasi ka thënë se aty ka hapësira. Majlinda Dehima gjithashtu është shprehur se ka vënë në dijeni drejtoreshën e kopshtit privat për rastin.
Rasti i paprecedentë, që u publikua nga emisioni investigativ “Stop”, vuri në lëvizje të gjithë instancat, për të kuptuar së pari që kopshti “Stinët” ka operuar i palicensuar.
Dhuna ndaj 3-vejçares, e la atë me këmbë të thyer, ndërsa ishte nëna e të miturës që vendosi ta denoncojë dhe ta bëjë publike këtë ngjarje të rëndë.