Policia e Kosovës ka arrestuar sot herët në mëngjes edhe një tjetër serb, të dyshuar për pjesëmarrje në sulmet ndaj ekipeve të mediave javën e kaluar në Leposaviq.
“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në atë ngjarje u plagosën disa gazetarë dhe kameramanë, me një prej tyre që përfundoi dhe me krahun e thyer.
Më tej, Policia e Kosovës thekson se do të vazhdojë të ruajë rendin dhe sigurinë publike me përkushtim, në mënyrë që të gjithë personat e dyshuar për shkelje të ligjit të vihen përpara drejtësisë.
Personi me inicialet V.B është i ndaluari i tretë për sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave që janë bërë në veri të Kosovës.