Aktualitet Dhuna ndaj nënës së dëshmorit, reagon pronari i qendrës: Nuk mund ta...

Dhuna ndaj nënës së dëshmorit, reagon pronari i qendrës: Nuk mund ta përshkruaj se si jam ndjerë, të marrin dënimin e merituar

Pas dhunës fizike të ushtruar ndaj një të moshuare, që është edhe nëna e një dëshmori, në azilin e të moshurave në Pejë ka ardhur edhe reagimi i një prej pronarëve të qendrës. Në reagimin e tij për media Anton Rasaj ka shprehur indinjatën e tij për rastin në fjalë dhe i kërkon drejtësisë të japë dënimin e duhur.

“Na janë besuar prindër të familjarëve, për çka ngjarja sot na ka lënduar shumë sa nuk gjejmë fjalë të shprehim këtë indinjatë. Nuk kam fjalë ta përshkruaj se si jam ndjerë kur e kam parë sjelljen e infermiereve. Ju njoftoj se pa asnjë hamendje, menjëherë i kam larguar nga puna personelin në fjalë, kam kërkuar që me shpejtësi të veprohet, e për dëmin e shkaktuar nga ato do t’i ndjekin përgjegjësit në procedura tjera ligjore po ashtu.”

“I ftoj organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre me efikasitet dhe që të njëjtat të marrin dënimin e merituar! I sigurojmë familjet dhe gjithë ju se do të ndërmarrim çdo veprim të nevojshëm! E përsëris, më vjen shumë keq, e di që ky njoftim nuk ju heq dhimbjen secilit nga ju, posaçërisht familjes së zonjës së respektuar, por ju premtoj se do të bëj gjithçka që është në mundësinë tonë!, u shpreh Rasaj.

Ndërkohë, ka pasur reagime të shumta ka pasur pas dhunës së ushtruar ndaj të moshuarës në azilin e pleqve në Pejë. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e konsideroi të papranueshme dhunën ndaj të moshuarës dhe bëri thirrje për të çuar para drejtësisë të gjithë të implikuarit.

“Me shqetësim kemi parë të gjithë pamjet e keqtrajtimit të një gruaje të moshuar nga një grup vajzash, në një shtëpi të përkujdesjes së të moshuarve në Pejë. Veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por në veçanti janë më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje. Nga Policia e Kosovës jam njoftuar që deri më tani janë arrestuar dy nga dhunueset dhe hetimet po vazhdojnë. Fuqishëm bëj thirrje për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë akt çnjerëzor”, ka shkruar ministri Sveçla.

Edhe ish-presidenti dhe biznesmeni Behgjet Pacolli ka dënuar dhunën ndaj të moshuarës, që është edhe nëna e një dëshmori. Në një postim në Facebook, ai tha se dëshiron ta takojë atë, ndërsa për shkaktarët e dhunës tha se duhet të mendohen në qeli.

“Ju që e goditni, ju që qeshni dhe ju që filmoni. Çfarë keni për të thënë tani? A e shihni që gjithçka në këtë botë kthehet si një bumerang. Keni krijuar lajme negativë në të gjithë vendin. Keni abuzuar me një nënë të moshuar. Madje e një dëshmori. Unë dëshiroj shumë ta takoj këtë grua dhe të dëgjoj çfarë ka për të thënë ajo. Por ju që keni shkaktuar këtë dhunë, shpresoj se do të keni mjaft kohë për të menduar për veprimin tuaj në qelinë tuaj”, shkruan Pacolli.