Kryesore Dhuna ndaj tifozëve izraelitëve në Amsterdam, të paktën 57 të arrestuar. Netanjahu...

Dhuna ndaj tifozëve izraelitëve në Amsterdam, të paktën 57 të arrestuar. Netanjahu dërgon avionë shpëtimi

Zyrtarët holandezë dhe izraelitë kanë dënuar një seri sulmesh mbi tifozët izraelitë të futbollit që ndodhën gjatë natës në Amsterdam.

Mbështetësit e Makabi Tel Aviv u sulmuan në kryeqytetin holandez pasi ekipi i tyre ndodhej aty për një ndeshje të vlefshme për Europa League kundër Ajaksit.

Policia në Amsterdam ka arrestuar të paktën 57 persona.

Në rrjetet sociale janë publikuar disa pame të sulmeve të dhunshme ndaj izraelitëve në rrugë. Siç shkruan BBC po ashtu disa persona kanë hyrë në hotele të ndryshme në kërkim të tifozëve të Makabit.

Telashe në lidhje me këtë sfidë kishte pasur që para se të niste ndeshja mes tifozëve të Makabit dhe protestuesve pro-palestinezë. Mediat shkruajnë se tifozët hodhën fishekzjarrë dhe tërhoqën një flamur të Palestinës.

Kryeministri holandez Dick Schoff tha sot se dhuna ndaj qytetarëve izraelitë pas një ndeshje futbolli në Amsterdam ishte e papranueshme dhe shtoi se të gjithë autorët duhet të ndiqen penalisht.

“I pashë lajmet nga Amsterdami me neveri”, shkroi Schoff në platformën ‘X’, duke shtuar se kishte kontaktuar me homologun e tij izraelit Benjamin Netanjahu për incidentin në fjalë.

Sakaq, Netanjahu ka urdhëruar dërgimin e menjëhershëm të dy avionëve të shpëtimit në Amsterdam pas “incidentit të dhunshëm” që shoqëroi përfundimin e ndeshjes së futbollit në Ligën e Evropës.

Ministria e Sigurisë Kombëtare e Izraelit u bëri thirrje gjithashtu qytetarëve izraelitë në Amsterdam që të qëndrojnë në dhomat e tyre të hotelit pas sulmeve.

“Tifozët që shkuan për të parë një ndeshje futbolli, u përballën me antisemitizmin  dhe u sulmuan me brutalitet të paimagjinueshëm vetëm sepse ishin hebrenj dhe izraelitë”, tha ministri izraelit i Sigurisë Itamar Ben-Gvir.

Ndërkohë, policia lokale tha se 57 persona u arrestuan pas ndeshjes, gjatë së cilës protestuesit pro-palestinezë u përpoqën të arrinin në stadiumin “Johan Cruyff”, pavarësisht se autoritetet e qytetit i ndaluan ata të protestonin.

Policia tha se tifozët dolën nga stadiumi pa incidente, por disa përplasje u raportuan në qendër të qytetit gjatë natës. Forcat e Armatosura izraelite njoftuan sot se po koordinojnë një mision shpëtimi me qeverinë holandeze pas ndeshjes së futbollit, në të cilën Ajax Amsterdam mposhti Maccabi Tel Aviv 5-0.

“Gjatë misionit do të përdoren avionë transporti dhe do të përfshihen edhe ekipe mjekësore e të shpëtimit”, tha ushtria izraelite.