Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar me shqetësim në lidhje me incidentet e dhunshme që u regjistruan në seancën e fundit të Kuvendit të Shqipërisë, ku opozita mes të tjerash ndezi dhe zjarr në oborrin para godinës për të djegur karriget e tyre.
Përfaqësia e diplomacisë amerikane iu bën thirrje të dyja palëve kryesore në Kuvend që të rikthehen tek dialogu konstruktiv.
“Ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar të hënën.
Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik. Nxisim të gjitha palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv si dhe të përqafojnë vlerat e respektit dhe qytetarisë.
Mbështesim diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE si dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë krah institucioneve shqiptare teksa punojnë për ta sjellë Shqipërinë më pranë bashkësisë euro-atlantike”, shkruhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Ambasadori i BE: Ulni tensionet dhe kthejuni dialogut
Reagimi i opozitës në sallën e Kuvendit nuk gëzon bekimin të Bashkimit Europian. Kreu i delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato e shprehu këtë qëndrim në të njëjtin vend ku vetëm pak orë më parë, demokratët dogjën karriget e tyre duke nënvizuar se kjo nuk është rruga drejt unionit.
“Është për të ardhur keq që disa përfaqësues të opozitës përdorën mënyra që ndërpresin mbarëvajtjen e jetes parlamentare në Kuvend. Çfarëdolloj qëndrimesh apo ideje që mund të kemi, nuk është kjo mënyra për të shprehur mendimin. Në një demokraci funksionale si Shqipëria, pakënaqësi nga më të ndryshmet duhet të shprehen në mënyrën e duhur dhe nuk duhet që të përdoret dhunë apo të bëhen dëmtime ndaj sepse deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të kenë mundësin që të përmbushin dhe luajnë rolin e tyre në siguri të plotë”, tha ambasadori.
Këtë koment ambasadori Gonzato e shprehu teksa nënvizoi se tashmë Shqipëria është edhe më pranë Bashkimit Europian, dhe për t’u bërë pjesë e Unionit nevojitet një demokraci funksionale. Për këtë, i dërgoi një lutje për të dyja palët.
“Prandaj ia lejoj vetes që ta bëj këtë koment, sepse është shumë e rëndësishme që Kuvendi i Shqipërisë, parlamenti i vendit, të luaj rolin e duhur në mënyrë që Shqipëria të bëhet shtet anëtar në një demokraci funksionale. Prandaj thirrja që unë u bëj të gjithëve në këto momente është t’u ktheheni dialogut, jo që të bihet dakord për gjithçka, por ama për të diskutuar dhe dialoguar në parlament dhe gjithashtu të shmangen sulet personale apo verbale. Lutem të gjithëve që të ulin përshkallëzimin e tensionit”, shtoi Gonzato.
Prania e kreut të delegacionit të BE-së në ambientet e sallës së seancave plenare ishte si i ftuar nderi në aktivitetin e asamblenë parlamentare të nismës për Europën Qendrore ku administrata e Kuvendit kishte marrë masat për të plotësuar vizualisht karriget e djegura një ditë më parë, disa duke i marrë nga krahu i socialistëve e disa nga ulëset e qeverisë.