Kuvendi i Kosovës u përfshi të enjten nga dhuna dhe përplasjet e ashpra fizike mes deputetëve të opozitës, me ata të shumicës, si dhe ministra të kabinetit “Kurti”.
Nisur nga niveli i përplasjeve fizike dhe dhunës brenda sallës së parlamentit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetime për veprën penale “Sulm”, në lidhje me dhunën në Kuvendin e Kosovës gjatë ditës së sotme.
Përmes një njoftimi për shtyp, Prokuroria informuar se ka autorizuar policinë që të kryejë të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e çështjes.
Prokuroria deklaron se do të merren deklaratat e palëve të përfshira në këtë dhunë: “Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, sipas KPRK-së, lidhur me incidentin i cili ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, si dhe ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast. Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmerre të gjitha veprimet konform dispozitave ligjore të KPPRK-së, deri në sqarimin e plotë të çështjes në fjalë”.