Bota Dhunë e flakë në Beograd. Policë të plagosur dhe dhjetëra të arrestuar...

Dhunë e flakë në Beograd. Policë të plagosur dhe dhjetëra të arrestuar në protestën anti-Vuçiç (FOTO)

Për të shtatën ditë radhazi, “Serbia kundër dhunës”, grupi kryesor i opozitës që sfidoi në zgjedhjet e fundit Presidentin Aleksandër Vuçiç organizoi mbrëmjen e së dielës një demonstratë antiqeveritare për të denoncuar mashtrimet në zgjedhjet e 17 dhjetorit.

Demonstrata në vigjilje të Krishtlindjes degjeneroi në akte dhune dhe përplasje të ashpra mes protestuesve dhe forcave speciale që rrethuan bashkinë e kryeqytetit serb, pasi tentuan të mësynin brenda saj.

Shumë u përpoqën në disa raste të kalonin gardhet dhe të futeshin me forcë në ndërtesë, por Vuçiç mobilizoi forca të mëdha policie për të ndalur rebelimin e opozitarëve.

Demonstruesit e dhunshëm vunë në shënjestër bashkinë me breshëri vezësh, shishe plastike, domate dhe sende të tjera, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë grupet e trazirave.

Disa punonjës policie u plagosën, dy prej të cilëve raportohet se janë në gjendje të rëndë, pasi janë goditur me gurë dhe sende të tjera të forta. Ndërkohë, të paktën 35 demonstrues të dhunshëm janë arrestuar dhe mbi ta rëndon akuza e sulmit mbi institucionet.

Po ashtu, disa dyer hyrëse dhe dritare të institucionit u shkatërruan. Në fund, forcat policore arritën të krijojnë një kordon solid oficerësh përreth bashkisë, duke i shtyrë demonstruesit përsëri në rrugët anësore dhe drejt sheshit “Slavija”.

“Dje rreth orës 18:00 ka ndodhur një grumbullim i papritur i qytetarëve. Ishin rreth 2400 njerëz. Protestuesit i kanë gjuajtur me shkopinj policëve për orë të tëra. Duruam dhunën për tre orë. Tetë policë janë lënduar”, sqaroi shefi i Administratës Policore, Ivica Ivkoviç, teksa iu drejtua sot popullit serb me një deklaratë.

Në mbrëmje presidenti Aleksandër Vuçiç thirri një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Vuçiç paralajmëroi reagimin e ashpër të institucioneve ndaj atyre që teorizojnë dhe vënë në praktikë sjelljet e dhunshme.

“Mos u shqetësoni, qytetarë të Serbisë. Edhe pse skenat janë dramatike, ne e duam vendin dhe qytetin tonë, nuk jemi mësuar që dikush të na prishë shtëpinë. Nuk ka revolucion, asnjë prej tyre nuk do të ketë sukses. Shteti është mjaft i fortë dhe do të mbrojë demokracinë e vullnetin elektoral të qytetarëve. Dhe kjo është gjithçka që duhet të dini. Protestuesit dhe banditët do të ndalohen dhe më pas do të reagojnë organet kompetente shtetërore. Askush nga ata që janë përgjegjës nuk do t’i shpëtojë drejtësisë dhe dënimit legjitim. Është produkt i rrethanave shumë më të rënda gjeopolitike, në të cilat po tentojnë të shembin autonominë dhe pavarësinë e Serbisë. Ne do ta ruajmë lirinë e Serbisë, sepse kjo është vlera më e lartë. Ne do ta mbrojmë Serbinë tonë, po ju kërkoj vetëm të ruani paqen. Jini të qetë, vendi është i sigurt”, tha ai.

Sakaq, kryetari në largim i bashkisë së Beogradit, Aleksandër Sapiç tha se ajo që ndodhi të dielën në mbrëmje në Beograd mund të krahasohet me kryengritjen e Maidanit të vitit 2014 në Kiev, e cila filloi me protestat antiqeveritare në sheshin qendror të kryeqytetit ukrainas.