Aktualitet Dhunimi barbar i Rigels Kasos, shkoi të takonte vajzën që njohu në...

Dhunimi barbar i Rigels Kasos, shkoi të takonte vajzën që njohu në rrjetet sociale, por iu bë pritë nga bashkëjetuesi i saj

Rigels Kaso

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dhunimi i 42-vjeçarit Rigels Kaso nga Bilishti, i cili u gjet dje i shtrirë në rrugë, pasi ishte dhunuar. Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim autorin e dhunimit, ndërkohë që në media kanë dalë detaje dhe mbi shkaqet të ngjarjes së rëndë që policia i përmblodhi me togfjalëshin ‘motive të dobëta’.

Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive xhelozie, pasi Kaso kishte shkëmbyer mesazhe me bashkëjetuesen e personit të shpallur në kërkim.

Pasi i ka lexuar këto mesazhe, Gjeleshi nga profili i bashkëjetueses e ka ftuar 42-vjeçarin për t’u takuar pranë pallatit ku jetonte në rrugën në rrugën “Sokrat Miho”.

Duke menduar se do të takohej me gruan që fliste në rrjetet sociale, 42-vjeçari ka ardhur nga Bilishti për në Tiranë, duke shkuar në adresën që ‘ajo’ i kishte dhënë në rrjetet sociale, por u përball me bashkëjetuesin e saj, i cili e dhunoi barbarisht me grushte.

Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës më datën 15 korrik dhe ai u gjet nga kalimtarët në mëngjes të cilët njoftuan ambulancën. 42-vjeçari ndodhet në spitalin e traumës duke luftuar për jetën dhe nuk ka mundur dot të deponojë para policisë.

Nga verifikimet e kryera rezulton se ai ka qëndruar në Tiranë 3 ditë para se të ndodhte ngjarja.

Ndërkohë autori është shpallur në kërkim, por ende nuk është bërë e mundur që të lokalizohet nga ana e policisë. Të afërmit e përshkruajnë Kason si një person të qetë, dhe jo konfliktual, ndërsa në Bilisht ishte i punësuar në një kompani interneti.

Burbuqe Kaso, nusja e xhaxhait të Rigelsit, ka thënë se e njihte prej 36 vitesh dhe për të ishte djalë i mirë.

“Djalë shumë i mirë, si për shoqërinë, si për ne. Nuk e di çfarë i ka ndodhur, në televizion e mora vesh. Nuk e di me detaje. Rigelsi merrej me kompjuterat, ka qenë në Itali, nuk flasin keq për atë djalë, shumë i respektuar. Historinë pse i ndodhi kjo nuk e di. Këtu nuk ka patur asnjë zënkë”, tha ajo, ndërsa shton se nuk ka qenë konsumues i alkoolit, apo të ketë pasur vese të tjera.

Rigels Kaso per një periudhë të gjatë ka punuar në klubin e futbollit Devolli. Paralelisht, Kaso ushtronte një aktivitet privat në qytetin e Bilishtit, kryesisht me riparime televizorësh dhe kamerash sigurie.