Dritan Nano, organizatori i dyshuar i dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi dhe agresori Dorian Alia kanë dalë sot para Gjykatës të Tiranës, ku janë njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”.
Nano, i cili akuzohet se ka organizuar sulmin, ka deklaruar në sallën e gjyqit se nuk ka pasur dijeni, ndërsa dhëndri i tij Dorian Alia ka thënë se e ka parë rastësisht dhe e ka goditur.
Për 5 të pandehurit e dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, prokuroria rikualifikoi akuzën. Nga “Vrasje e funksionarëve publikë e mbetur në tentativë” prokuroria ka dërguar në gjykatë akuzat e “Plagosje e rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim” dhe “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit” në bashkëpunim.
Ndërkohë, Policia e Tiranës ka vijuar kontrollet për kapjen e 3 autorëve të tjerë të shpallur në kërkim për dhunën ndaj Sokol Mëngjesit. Për kapjen e tyre, burime bëjnë me dije se kontrollet janë ushtruar edhe jashtë Tiranës, në disa qytete të vendit ku ka dyshime se fshihen Elton Kasa, Romario Tabaku dhe Drivald Alia. Këta të fundit, së bashku me Dorian Alian, u organizuan nga Dritan Nano për të sulmuar fizikisht avokatin Mëngjesi.
Prej të së mërkurës, avokati Sokol Mëngjesi vijon të jetë i intubuar në Spitalin e Traumës, për shkak të dëmtimeve të marra nga sulmi fizik ndaj tij. Situata e tij shëndetësore po mbahet në monitorim nga mjekët e këtij spitalit, të cilët ende nuk e kanë përcaktuar nëse avokati ka kaluar rrezikun për jetën.