Me anë të një postimi në platformën X, kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajiç ka reaguar për ngjarjen e ndodhur në Herceg Novi, ku tre shtetas shqiptarë janë dhunuar barbarisht nga një grup personash, vetëm sepse u dëgjua të flisnin në gjuhën shqipe.
Spajiç shpreh keqardhjen për incidentin dhe garanton që autoritetet malazeze janë duke u qëndruar pranë të dhunuarave, për t’iu ofruar sigurinë dhe mbështetjen e nevojshme.
Ai po ashtu bën me dije se njëri nga autorët e ngjarjes është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij.
“Më vjen shumë keq për ngjarjet e sotme që ndodhën me miqtë tanë të dashur nga Shqipëria. Theksoj se Mali i Zi duhet dhe do të jetë një oaz paqeje dhe sigurie për të gjithë. Mendimet tona shkojnë për të gjithë të prekurit dhe ne po punojmë për t’i ofruar të gjithëve sigurinë dhe mikpritjen që meritojnë. Një autor është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij. Së shpejti të gjitha informacionet do të bëhen të ditura për të tjerët”, shkruan Spajiç.