Gjykata e Korçës ka lënë në burg Denis Meçen si i dyshuar për vrasjen e Egli Progës, ndërsa për 3 të arrestuarit e tjerë Voltan Shulku, Arian Manellari e Leonidha Guçe ka vendosur detyrim paraqitje.
Ka qenë prokurore Vasjana Postol e cila pasi ka sqaruar gjithë dinamikën e ngjarjes me pasojë vdekjen e 42-vjeçarit Egli Proga, i ka kërkuar gjykatës lënien në burg të autorit Denis Meçe si dhe tre personave të tjerë të arrestuar.
Nisur nga provat paraprake të paraqitura nga akuza, gjykata ka marrë parasysh kërkesën e prokurores së çështjes për Denis Meçen, ndërkohë që për 3 personat e tjerë nuk ka bërë një gjë të tillë duke pranuar kërkesat e avokatëve për masën e sigurisë detyrim paraqitje.
Denis Meçe akuzohet për vrasje me dashje vetëm tre ditë më parë në qytetin e Pogradecit, pas një sherri që ka pasur në afërsi të një lokali me 42-vjeçarin Egli Proga.