Bota Dhunuan të moshuarën, lirohen nga paraburgimi 3 infermieret

Dhunuan të moshuarën, lirohen nga paraburgimi 3 infermieret

Kosovë – Tre infermieret e arrestuara në Pejë në fillim të muajit Nëntor për dhunën e ushtruar ndaj një moshuareje në qendrën Orenda, janë liruar nga paraburgimi.

Klan Kosova raporton se infermieret janë lënë të lira me vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës, që ka pranuar kërkesën e avokatëve.

Tre infermieret do të hetohen tashmë në gjendje të lirë për rastin brenda qendrës së të moshuarve Orenda në Pejë, ku u filmuan duke ushtruar dhunë ndaj një të moshuareje për të cilën kishin detyrë që të kujdeseshin.

Lirimi i infermiereve, reagon avokati i të dhunuarës: Besimi në drejtësi është shuar

Avokati Meshari Selimaj i familjes së të moshuarës që u dhunua brenda qendrës Orenda në Pejë, ka reaguar pas vendimit për lirimin nga paraburgimi të 3 infermiereve të akuzuara.

Avokati i familjes ka thënë se vendimi i sotëm i Gjykatës Supreme të Kosovës ka shuar besimin për drejtësi.

“Vendimi i Gjykatës Supreme për lirimin nga paraburgimi i të pandehurave në këtë fazë të procedurës ku akoma nuk ka përfunduar procedura hetimore dhe akoma ekziston rreziku i madh që të ndikohet në ndryshimin dhe asgjësimin e provave, është tregues i qartë se cilat janë tendencat për trajtimin e mëtejshëm të këtij rasti, relativizimi i tij, dhe në fund lirimi nga aktakuza apo shqiptimi i ndonjë dënimi me gjobë. Me ditën e sotme besimi në drejtësi për këtë rast u shua”, shprehet avokati Meshari Selimaj për Tv Klan.