Sport Dhurata e veçantë për portierët, nga një shishe birrë për çdo gol...

Dhurata e veçantë për portierët, nga një shishe birrë për çdo gol të pësuar nga Messi

Lionel Messi ia doli: “Mundi” Pelé. Ose të paktën një nga rekordet e O’Rey. Me golin e shënuar në ndeshjen e fundit, Pleshti ngjitet në kuotën 644 me fanellën e Barcelonës, një më shumë se ato të realizuar me të njëjtën fanellë – atë të Santos – nga legjenda braziliane: “Kur fillova të luaja futboll nuk mendoja të thyeja rekorde. E aq më shumë të mendoja ta bëja me një të Pelé”, është mesazhi në Instagram i argjentinasit, që fluturoi në atdhe me një avion privat për të kaluar pushimet e Krishtlindjes.

Falë golit të shënuar në ndeshjen kundër Valladolid, Messi ka thyer rekordin që i përkiste Pelé nga 1974, kur shënoi golin e fundit me fanellën e Santos. Pavarësisht mundësisë për lamtumirën në fund të sezonit, nëse jo që në janar, 6 herë Topi i Artë nuk ka reshtur kurrë së dhëni kontributin e tij për skuadrën që e bëri të madh, duke arritur kështu të kalojë edhe një si O’Rey. “Mund vetëm të falënderoj të gjithë ata që më kanë ndihmuar në këto vite, nga shokët e skuadrës, familja, miqtë e mi e të gjithë ata që më mbështesin çdo ditë. Një përqafim”, ka shtuar argjentinasi, me të cilin pak ditë më parë vetë Pelé u komplimentua për faktin se e ka futur emrin e tij në legjendë për të disatën herë në karrierë.

Me këtë rast, fabrika çeke e birrës, Budweiser vendosi t’u dërgojë nga një shishe birrë për çdo gol të pësuar nga Lionel Messi, të gjithë portierëve të cilëve ylli argjentinas u ka dërguar topin në rrjetë.

Në shishe janë stampuar edhe numrat e golave të pësuar dhe firma e Messit, si për shembull portieri italian Gigi Buffon, që ka marrë dhuratë dy shishe birrë, përkatësisht ato me numrin 514 dhe 515, për dopietën që Messi i ka shënuar dikur në Ligën e Kampionëve.

“Këto janë dhuratat e mia nga Messi, që përfaqësojnë golat e tij numër 514 dhe 515 në karrierë me Barcelonën. I mbaj mend shumë mirë ato gola, pasi humbëm 3-0. E vetmja dëshirë që kam është që këto të jenë shishet e fundit të birrës që marr. Ok, Lionel? Dy janë më se mjaftueshëm”, shkroi në Instagram portieri legjendar i Juventusit, i cili pozoi me dy shishet në duar.

Ndërkohë vlen të theksohet se portieri spanjoll Iker Casillas ka marrë dhuratë plot 17 shishe birrë. Kush do të marrë më shumë? Diego Alves, që në 17 ndeshje kundër Messit ka pësuar 21 gola e kështu që do të marrë po aq birra.