Gjykata e Tiranës vendosi në masën “arrest në burg” për Mexhit Picarin e Dhurata Saliajn. Babë e bijë akuzohen për vrasjen e Kudret Saliajt më 4 qershor.
Gjatë seancës, Dhurata Saliaj deklaroi se nuk e dinte që i ati do të kryente një vrasje. “Nuk do ta lejoja kurrë. Kudreti ishte babai i fëmijëve të mi dhe nuk do ta lejoja. Kërkoj mëshira nga Gjykata, kam tre fëmijë për të rritur”.
Ndërsa Mexhit Picari kërkoi ndjesë për vrasjen. “Të më falin nipërit dhe mbesat. I kërkoj falje edhe vajzës që i vrara burrin. Dhurata s’ka pasur dijeni. Pistoletën e kisha në brez dhe nuk e mora në çantën e gocës”.
Vrasja ndodhi të premten e kaluar në një lokal afër Gjykatës Civile. Kudret Saliaj ishte në tavolinë bashkë me avokatin e tij, Adriatik Camaj, që mbeti i plagosur dhe një punonjëse sociale.
Në të njëjtin lokal sipas Prokurorisë ka qenë dhe Dhuratat Saliaj dhe Mexhit Picari, të cilët kanë vëzhguar për më shumë se 30 minuta lëvizjet e viktimës dhe më pas e kanë vrarë.