Pas zhgënjimit të madh nga humbja e Superkupës ndaj Lacios, si dhe skualifikimit të Bentankur, Sarri, Nedved dhe Paratiçi, Juventusi është hedhur në sulm në merkato. Klubi bardhezi thuajse ka në dorë Erling Braut Haland, sulmuesin anglo-norvegjez të Salcburgut, zbulimin e madh të këtij sezoni, autor i 28 golave në 22 ndeshje. “Corriere dello Sport” ka publikuar në faqe të parë lajmin për kalimin thuajse të sigurt te Juventusi të sulmuesit të datëlindjes 2000. Do të ishte dhurata e parë për trajnerin Sarri.
Një lajm i befasishëm, pasi për Haland nuk kishte pasur interes deri tani nga Juventusi. Për këtë lojtar ishin në garë Mançester Junajtid, Borusia Dortmund dhe Lajpcigu, por tashmë ai është më afër bardhezinjve. Juventusi pritet të paguajë në arkën e Salcburgut të paktën 30 milionë euro. Klubi torinez i ka parakaluar të gjithë, falë ndihmës së agjentit Mino Raiola, i cili po bën ndërmjetësin e bisedimeve. Ai kishte udhëtuar bashkë me Haland edhe për në Dortmund apo Lajpcig, për të dëgjuar ofertat e dy klubeve gjermane. Pozitiv për Juventusin është fakti se 19-vjeçari kërkon një skuadër sa më kompetitive. Bardhezinjtë janë gati ta bashkojnë norvegjezin me CR7, Dibala dhe Higuain, duke bërë një sulm ëndrrash.
Mjaft aktivë në merkato janë edhe klubet e tjera italiane. Milani këmbëngul për Zllatan Ibrahimoviç, të cilin kërkon ta afrojë sa më shpejt, duke i afruar kontratë deri në vitin 2021. Interi nuk heq dorë nga mesfushori Arturo Vidal. Klubi zikaltër nuk synon huazimin, por ofron 12 milionë euro. Megjithatë, Barcelona po reziston ende. Napoli ka siguruar dy lojtarët e Veronës, mbrojtësin kosovar Amir Rrahmani dhe mesfushorin Amrabat. Të dy këta lojtarë do të transferohen në verë dhe për ta Napoli do të paguajë 30 milionë euro.