Bota Dhuratë mbretërore apo perlë e “vjedhur”? Britanisë i kërkohet të kthejë diamantin...

Dhuratë mbretërore apo perlë e “vjedhur”? Britanisë i kërkohet të kthejë diamantin më të madh në botë

Në Afrikën e Jugut janë shtuar thirrjet për familjen mbretërore të Britanisë së Madhe që të kthejë diamantin më të madh të njohur në botë, pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II.

I njohur si Ylli i Madh i Afrikës ose Cullinan I, diamanti është prerë nga një gur i çmuar më i madh që u nxor nga një minierë në Afrikën e Jugut në 1905 dhe iu dorëzua familjes mbretërore britanike nga autoritetet koloniale të Afrikës së Jugut. Aktualisht është e vendosur në një skeptër mbretëror që i përket Mbretëreshës, shkruan CNN.

Kërkesat për kthimin e Yllit të Madh të Afrikës dhe diamanteve të tjera, së bashku me thirrjet për riatdhesim, janë intensifikuar që nga vdekja e Mbretëreshës. Shumë afrikano-jugorë e shohin blerjen e xhevahireve nga Britania si të paligjshme.

Vdekja e Mbretëreshës ka hapur një debat rreth kolonializmit dhe se si ai lidhet me trashëgiminë e saj.

Mediat e Afrikës së Jugut kanë debatuar për pronësinë e gurit të çmua, së bashku me kërkesat për pagesën e reparacioneve.

“Diamanti Cullinan duhet të kthehet në Afrikën e Jugut me efekt të menjëhershëm”, tha aktivisti Thanduxolo Sabelo për mediat lokale , duke shtuar se: “Mineralet e vendit tonë dhe të vendeve të tjera vazhdojnë të përfitohen nga Britania në kurriz të popullit tonë.”

Më shumë se 6.000 njerëz kanë nënshkruar një peticion duke kërkuar që Ylli i Madh i Afrikës të kthehet dhe të shfaqet në një muze të Afrikës së Jugut.

Një anëtar i parlamentit të Afrikës së Jugut, Vuyolëethu Zungula, i kërkoi vendit të tij të “kërkojë dëmshpërblime për të gjithë dëmin e bërë nga Britania” dhe gjithashtu “të kërkojë kthimin e të gjithë arit, diamanteve të vjedhura nga Britania”.

Sipas Royal Collection Trust, i cili mbikëqyr koleksionin mbretëror të familjes mbretërore britanike, diamanti Cullinan iu dorëzua mbretit Eduard VII (monarku britanik në atë kohë) në vitin 1907, dy vjet pas zbulimit të tij në një minierë private në Afrikën e Jugut, provinca e vjetër Transvaal.

Me peshë rreth 3 106 karat në formën e tij natyrale, diamanti origjinal kishte “madhësinë e një zemre njerëzore”, thotë Royal Asscher .

Duke mbështetur pretendimin e monarkisë britanike për gurin e çmuar, Royal Asscher shpjegon se guri i çmuar u ble nga qeveria Transvaal e Afrikës së Jugut (drejtuar nga sundimi britanik) dhe iu dorëzua mbretit Eduard VII si dhuratë për ditëlindje.

Një profesor i politikës afrikane në Universitetin e Afrikës së Jugut, Everisto Benyera, e kundërshton këtë tregim. Ai i tha CNN se “transaksionet koloniale janë të paligjshme dhe imorale”.

“Mendimi ynë është se të gjitha qeveritë e Transvaal dhe Bashkimit të Afrikës së Jugut dhe sindikatat e minierave shoqëruese ishin të paligjshme”, tha Benyera, duke argumentuar se: “Marrja e një diamanti të vjedhur nuk e shfajëson marrësin. Ylli i Madh është një diamant gjaku … Kompania private (minerare), qeveria e Transvaal-it dhe Perandoria Britanike ishin pjesë e një rrjeti më të madh kolonialiteti”.