Ernest Muçi përjetoi një të enjte të paharrueshme. Sulmuesi i talentuar i kombëtares shqiptare, shënoi dy gola në suksesin 3-2 të Legias së Varshavës kundër Aston Villas në Conference League.
22-vjeçari mposhti dy herë kampionin e botës Emiliano Martinez, duke u dhuruar tifozëve polakë një mbrëmje magjike. Muçi u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, teksa në momentin e zëvendësimit shijoi një “standing ovation”.
Falë formës së mirë dhe ndeshjes fantastike kundër skuadrës së fortë angleze, Muçi është përzgjedhur si një nga katër kandidatët për t’u shpallur më i miri i javës së parë në Conference League.
Në faqen e UEFA-s është hapur votimi për futbollistin e javës, ku mes tyre është edhe sulmuesi i përfaqësueses kuqezi.
Tre rivalët e tij janë Kozulj i Zrinjskit, Lojtari i Ludogorets Piotrovski dhe Ranieri i Fiorentinës. Të gjithë shënuan dopietë.
Muçi e ka nisur më së miri sezonin, ndërsa në kampionatin polak, në 6 takime ka shënuar 3 gola.