Analisti Lorenc Vangjeli thotë se Saimir Tahiri ka informacione shumë të ndjeshme për politikanë të tjerë, të cilat i ka grumbulluar gjatë kohës që ka qenë ministër i Brendshëm.
Në emisionin “Opinion”, Vangjeli tregoi se Tahiri ka informacione për persona që kanë vese, duke përmendur këtu performanca seksuale, por edhe për ata politikanë që kanë fituar pasuri në mënyrë jo të ndershme.
“Tahiri vërtetë po e gdhin në qeli tani, por ka shumë të tjerë shokë të tij në të majtë e në të djathtë që po e gdhijnë pa gjumë. Sepse standardi që u vendos, kjo stekë që u vendos në këtë pikë, kjo masë kostumi që u qep kostum nga ata me vija, i rri në mënyrë perfekte çdo politikani të të shkuarës.
Saimir Tahiri ka tentuar të flasë me gjuhën e Kasandrës. Saimir Tahiri mendonte se pushteti është informacion, dhe pushteti është vërtetë informacion. Por tentoi të bëjë një kohë tjetër duke qenë në vendin e duhur por me mjetet e gabuara, të bëhet mbartës i informacionit. Sot heshtja e Saimir Tahirit në qeli në burg shqetëson ca njerëz të cilët kanë fituar para në mënyrë të pandershme dhe Saimiri i di.
Di shumë për vese vetjake, di shumë për marrëdhënie të papërshtatshme apo dhe për performanca seksuale. Ka mbledhur në mënyrën e tij materiale të cilat ai mendonte se do t’i përdorte ndaj kundërshtarëve politikë dhe ndaj kolegëve të tij në politikë. Në qoftë se Saimri Tahiri flet, do të ishte sikundër e ka lënë të kuptohet disa herë por nuk e ka bërë asnjëherë, do të ishte për të mësuar jo thjesht të fshehta të nëntokës tonë, por për të parë veset e atyre që pretendojnë se janë lart”, deklaroi Lorenc Vangjeli.