Diego Costa është një nga “peshat e rënda” tek Atlético Madrid. Sulmuesi me rrënjë nga Brazili ka dhënë një intervistë në kanalin YouTube (“Qué Partidazo”), ku ka analizuar zhvillimet në klubin e tij, që nga largimi i Griezmann deri tek ardhja e João Félix.
Griezmann
“Ëndrra e tij ishte të luante me Messin dhe Suarez. Të gjithë e njohim futbollin si është sot. Si futbollist, kërkon gjithmonë të eksperimentosh. Pra, ishte normale që ai të dëshironte të luante atje dhe të provojë nëse mund të jetë një lojtar i rëndësishëm, siç ishte tek Atletico Madrid. Griezmann donte një sfidë të re, prandaj shkoi te Barça. Unë nuk u përpoqa ta bindja të qëndronte, por nëse do të më kishte pyetur, do t’i kisha thënë: secili njeri duhet të jetojë gjëra të ndryshme. Personalisht, shkova te Chelsea, kur pashë se ishte koha për t’u larguar. Lënia e një ekipi nuk do të thotë që ju nuk jeni mirënjohës. Thjesht, mund të jetë koha për të jetuar një përvojë tjetër. Pra, ishte një vendim normal. Griezmann është një person shumë korrekt, nuk e humbi kurrë një seancë stërvitore, ishte gjithmonë shembull. Jo, ne nuk mund të flasim asgjë të keqe për të, thjesht ta falënderojmë”.
João Félix
“Kur mbërriti tek Atletico Madrid, kuptova direkt se është një person i qetë dhe i dëgjueshëm. Ai nuk dëshiron të sillet si një yll. Në dhomën e zhveshjes ndihet mjaft mirë, sepse edhe ne të tjerët po e përkrahim. I ka treguar cilësitë e tij që në përgatitjet parasezonale, kundër Real Madridit dhe Juventusit. Ai ka diçka ndryshe. Është logjike që ka pritshmëri të larta ndaj tij, sepse ka cilësi shumë të mira. Personalisht, merrem vesh shumë mirë me të, në fushë dhe jashtë saj. Pasimi i fundit i tij më ndihmon shumë. Njerëzit shohin që ka diçka ndryshe, për të cilën kemi nevojë, jo vetëm unë, por i gjithë ekipi”.
E ardhmja
“Do të shohim nëse Flamengo më do, për dy apo tri vite. Është ekipi, ku të gjithë lojtarët brazilianë, por jo vetëm, do të donin të shkonin. Klubi po rritet dhe do të vijë një kohë kur të gjithë lojtarët do të duan të shkojnë atje vullnetarisht. Sinqerisht, dua të luaj në një ekip në Brazil, nëse jam mirë fizikisht. Sigurisht që dua të luaj në Brazil, sepse nuk kam luajtur kurrë atje dhe kjo është një ëndërr. Nëse vjen mundësia e Flamengo dhe jam mirë, nuk mund të them jo”.
Atletico Madrid
“Këtu ndihem një lojtar i rëndësishëm. Atletico është një ekip ndryshe, i cili transmeton diçka tjetër. Atlético është një ndjenjë e pasionit, e luftës, e vuajtjes, diçka që të bën të identifikohesh me të”.