Dikur pretendonte që të kishte famë. E këtë nisi ta bënte duke u tallur me personazhet publike në rrjetet sociale dhe në Youtube. Më pas i hyri edhe muzikës. Por nuk mjaftonte për të riun Dijonis Biba. 20-vjeçari nga Shqipëria u arrestua në Britaninë e Madhe njësoj si pjesa më e madhe e të rinjve nga vendi ynë që shkojnë atje për të punuar si kopshtarë nëpër “shtëpi bari”.
Policia britanike e ka arrestuar Bibën së bashku me shqiptarin tjetër, Ervin Delija, si pjesë e një grupi kriminal që merrej me rritjen e kanabisit. Autoritetet kanë kryer kontrolle në 4 shtëpi të ndryshme në Hillfields këtë vit dhe kanë zbuluar pajisje të sofistikuara për rritjen e drogës dhe sisteme kamerash sigurie.
Biba dhe Delija u kapën të fshehur në dy prej banesave dhe janë dënuar me nga 15 muaj burg. Ata pranuan fajësinë për akuzën e prodhimit të kanabisit. Në shtëpinë ku qëndronte Biba u gjetën 165 rrënjë kanabis, ndërsa tek e Delijës, 210 rrënjë.
Nëse droga që ata po rrisnin do të dilte në treg do të kishte sjellë fitime deri në 300 mijë Paund për bandat. Të dy shqiptarët pasi kanë pranuar krimin kanë thënë që e kanë kryer për shkak të borxheve.
Dijonis Biba është personazh i njohur në rrjetet sociale. Por përveç videove live ku ai tallej me pjesën më të madhe të personazheve publike, i riu i kishte hyrë edhe muzikës. Dy këngët e tij të ngarkuara në platformën Youtube i kanë kaluar mbi 1 milionë shikime.