FBI-ja identifikoi të dielën 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks si “subjektin e përfshirë” në atentatin e së shtunës ndaj ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump, një nga aktet e profilit më të lartë të dhunës politike në disa dekada.
Por kush ishte 20-vjeçari që qëlloi mbi Donald Trump?
Për të dihet shumë pak, përveçse fitues i Olimpiadës së Matematikës dhe i regjistruar si votues republikan. FBI e identifikoi atë si Thomas Matthew Crooks, rreth shtatë orë pas të shtënave. Ata kishin thënë më herët se po përdornin biometrikë për të identifikuar autorin e armatosur.
Nuk dihet shumë për jetën ose edukimin e Crooks deri në këtë pikë. Por ai mendohet se ka fituar një Çmimin Kombëtar të Matematikës. Crooks gjithashtu dukej se kishte veshur veshje duke promovuar një nga kanalet më të njohura të YouTube kushtuar armëve të zjarrit gjatë sulmit.
Crooks dyshohet se ishte në çatinë e një ndërtese rreth 150 metra larg vendit ku po fliste Donald Trump. Ai ishte vendosur jashtë zonës së siguruar nga Shërbimi Sekret përpara tubimit dhe u “neutralizua” menjëherë nga Shërbimi Sekret pas të shtënave.
Agjencia e zbatimit të ligjit tha në një deklaratë të shkurtër se Crooks ishte nga Bethël Park i Pensilvanisë, rreth një orë me makinë nga vendi i tubimit politik ku Trump u qëllua në vesh, ndërsa mbante një fjalim për fushatën.
Deklarata nuk dha hollësi të mëtejshme rreth të dyshuarit Crooks, i cili, sipas dëshmitarëve, hapi zjarr me një pushkë nga një çati aty pranë vendit të tubimit, përpara se të vritej nga zyrtarët e zbatimit të ligjit.
FBI tha më herët se po zhvillohet një “hetim aktiv dhe i vazhdueshëm” rreth incidentit duke theksuar se kushdo që ka informacion, duhet të kontaktojë menjëherë autoritetet.
Të paktën një pjesëmarrës në tubim u vra dhe dy të tjerë mbetën të plagosur rëndë nga të shtënat, të cilat ndodhën në një hapësirë të madhe, të hapur në natyrë në Batlër të Pensilvanisë.
Më herët të dielën, Kevin Rojek, agjent i posaçëm i FBI-së i ngarkuar me zyrën në terren në Pittsburgh, u tha gazetarëve se “është e habitshme” që personi i armatosur qëlloi katër ose pesë herë përpara se të vritej.
“Aktualisht nuk kemi një motiv të identifikuar, megjithëse hetuesit tanë po punojnë pa u lodhur në përpjekje për të gjetur se cili ishte ai motiv”, tha agjenti Rojek, duke vënë në dukje se hetimi mund të zgjasë me muaj.
Në një postim në rrjetet sociale, ish presidenti Trump tha se ishte “mirë” pasi u qëllua me një plumb që shpoi pjesën e sipërme të veshit të tij të djathtë. Zoti Trump u lirua nga spitali të shtunën vonë.
“Është e pabesueshme që një akt i tillë mund të ndodhë në vendin tonë”, theksoi ish presidenti Trump, i cili falënderoi Shërbimin e Fshehtë dhe forcat e zbatimit të ligjit për punën e tyre.
“Çka është më e rëndësishme”, tha ai, “dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjen e personit që u vra, si dhe për familjen e një personi tjetër që u plagos rëndë”.
Sulmi erdhi pas një dite të ngjeshur fushatash për Trump dhe ish-Presidentin Joe Biden në garën presidenciale të 2024-ës.
Sulmi ndaj Trump ishte përpjekja më serioze për të vrarë një president ose kandidat presidencial që nga atentati ndaj ish presidentit Ronald Regan në vitin 1981.
Ky atentat ndodhi në një atmosferë thellësisht të polarizuar politike, vetëm katër muaj para zgjedhjeve presidenciale dhe disa ditë përpara se Trump të marrë zyrtarisht emërimin si kandidati i partisë së tij në Kuvendin Republikan. Fushata e tij tha se Kuvendi do të mbahet siç ishte planifikuar.