Nga Lutfi Dervishi
Ndez televizorin dhe sheh një skenë në çdo kanal: dy politikanë përballë njëri-tjetrit për të diskutuar çështjen më të rëndësishme të ditës: motin.
Nuk është thjesht një bisedë për meteorologjinë; është një betejë titanësh mbi të vërtetën e resë së zezë që po kalon mbi kryeqytet. Është një betejë për të shpërndarë mjegullën. Betejë për të vërtetën.
“Qamet!” thërret përfaqësuesi i opozitës me një zë kumbues si bubullimë. Të pranishmit në studio i përshkon drithërima. “Shi, furtunë, përmbytje! Këto janë pasojat e qeverisë suaj të paaftë që nuk ka bërë asnjë investim për kanalizimet sepse ka kanalizuar të gjitha fondet në xhepat e qeveritarëve”
“Për çfarë përmbytje flet?” reagon përfaqësuesi i qeverisë duke tundur kokën me përçmim. “Dielli po shkëlqen dhe njerëzit e beson në daç beso në daç mos beso, janë në plazh! Jeni ju që po sajoni furtuna në gota uji për të trembur popullin!” Jeni ju që po ju gërryen inati sepse në kohën që këta ishin në pushtet as dielli nuk dilte.
Debati merr zjarr. Në ekran shfaqen grafika me pamje nga përmbytjet e vitit të kaluar, të ndërthurura me premtimet për investime…
Ndërkohë, moderatori/ja, ai/ajo që duhet të jete lajmëtar i së vërtetës, qëndron në mes me një shprehje filozofike në fytyrë, duke tundur kokën sikur sapo ka zbuluar kuptimin e jetës. “Balanca! E rëndësishme është të kemi të dyja palët dhe mbi të gjitha duhet debat.
Një pyetje mbetet pezull: Pse nuk del dikush në dritare dhe të shoh si është koha?
Imagjino sikur moderatori të ngrihet nga tavolina të mbërrijë dritaren e studios dhe… ta hap! Shiu i rrëmbyer hyn në studio, duke lagur të gjithë skenën dhe duke bërë që përfaqësuesi i qeverisë të ulë kokën si fëmija që i ka gishtat me marmallate. Ose, nëse nga dritarja do të hynin rrezet e diellit, përfaqësuesi i opozitës do të dukej si vogëlushiqë kupton për herë të parë se Babagjyshi nuk ekziston.
Por jo. Kjo nuk ndodh. Në vend të kësaj, moderatori/ja kthehet te “balanca” në mënyrë që debati të vazhdojë pa fund. Kjo, sigurisht, garanton që të dy palët të kenë mundësi të vijnë serish në të njëjtën studio për të diskutuar nëse Toka është e rrumbullakët apo e sheshtë; apo t’i japin përgjigje shteruese pyetjes:a është sot e mërkurë? Njerëzit ndjekin “debatin” dhe nuk janë të sigurte nëse duhet të marrin me vete krem kundër djegies apo çadër kundër shiut.
Sepse, tek e fundit, detyra e medias nuk është të informojë publikun, por ta argëtojë atë me spektaklin debateve pa bukë. Dhe në këtë spektakël, dritarja mbetet e mbyllur bashkë me shpresën për verifikim. E siguritë është se njerëzit nëse nuk mbyten nga shiu do të mbyten nga dezinformimi.
P.S. PS thotë se Venecia na dha të drejtë. PD thotë se Venecia na dha të drejtë. Gazetari thotë se Venecia i ka dhënë të drejtë PS dhe PD.