Presidenti serb Aleksandër Vuçiç në një takim me kryeministrat e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe të Shqipërisë Edi Rama ka biseduar për mënjanimin e një sërë pengesash për biznesin si dhe për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkan.
Ideja për një konfederatë ballkanike jo se është diçka e re. Në fillim të viteve ‘90-të, Mandela i Kosovës, Adem Demaçi doli me idenë për një konfederatë të Ballkanit me Kosovën, Serbinë, Malin e Zi e Maqedoninë, si për fillim, pa ndryshim të kufijve të atëhershëm. Por kjo ide nuk u pranua nga Serbia.
“Unë propozova që kjo të jetë një Ballkani, aty të jetë edhe Serbia, por ajo nuk ishte e mençur që ta kuptojë këtë”.
Por, tani autoritetet qeveritare të Serbisë thonë se ideja e Shengenit ballkanik ka për të ndikuar në aspektin ekonomik në këtë rajon. Zv/Kryeministrja serbe Mihajloviç thotë se nuk do të ketë zhvillim bashkëkohor nëse marrëdhëniet e ndërsjella shihen përmes prizmës së të kaluarës.
“Të fillojmë me këto tre shtete, në aspektin strategjik shumë me rëndësi, për të shkuar poshtë drejt Greqisë, drejt porteve të Shqipërisë dhe kjo për Serbinë ka një rëndësi të madhe për lidhjet ekonomike mes këtyre vendeve”.
Takimin e paralajmëruar mes Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në Novi Sad, shumica e interpretojnë si ripërtërirje të idesë për krijimin e një “Shengeni të vogël” në Ballkan, siç thuhet, si uverturë para hyrjes së rajonit në BE. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një intervistë në ERTV nga Nju Jorku tha se “Shengeni Rajonal” do të ndihmonte në heqjen e kufijve në Ballkan për njerëzit dhe mallrat.
Përmes një komunikate është prononcuar edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se Lëvizja dhe komunikimi dinamik janë karakteristikë e shekullit 21, ndërsa sot po bëhet edhe karakteristikë e rajonit të Ballkanit.
“Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria me popujt e tyre kanë mundësi te veçantë te intensifikojnë lidhjen dhe me këtë të përshpejtojnë integrimin e rajonit në BE. Fuçia e dikurshme me barut sot po bëhet një det mundësish për jetë më të mirë të qytetarëve. Nisma aktuale do të ndikojë në qarkullim më të shpejtë dhe pa pengesë të qytetarëve, mallrave dhe shërbimeve, uljen e shpenzimeve të kompanive dhe qytetarëve, rritjen e eksportit, si dhe zhvillim të potencialit për turizëm”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Sipas ekspertit ekonomik akademikut Abdylmenaf Bexhetit, nismat e këtilla edhe pse sfidojnë politikën, mund të kenë impakt të madh ekonomik për rajonin.
Në mungesë të reagimeve nga Prishtina zyrtare është prononcuar ish-kryenegociatorja në dialogun me Serbinë Edita Tahiri, e cila është shprehur kundër idesë për Shengen ballkanik. Në një prononcim për mediat shqiptare Tahiri ka thënë se kjo është një tendencë neo-jugosllave që do t’i shkaktonte dëm Ballkanit dhe Evropës. Ajo ka vlerësuar se Ballkani nuk duhet të jetë i interesuar që t’i hapë kufijtë mes tyre, por drejt BE-së.