Sot në orën 21:00 nis zyrtarisht Kampionati Europian, Euro 2024. Ndeshja e hapëse do të jetë mes Gjermanisë, ku zhvillohet kompeticioni dhe Skocisë.
Por sytë e shqiptarëve janë të shtunën, kur në orën 21:00 kuqezinjtë do të luajnë përballë Italisë.
E teksa kemi ndjekur në vijimësi se si vijon përgatitjet Silvinjo, nga ana tjetër mediat italiane ndjekin punën e Spalletti-t.
Corriere dello Sport ka treguar dilemat e italianit përballë sfidës me Shqipërinë. Mesfushori i Interit, Barella, është rikthyer në stërvitje dhe duket se po shkon drejt rikuperimit të plotë. Ai është pothuajse gati dhe mund të ketë një balotazh me Cristante-n.
Për të dytën ditë rresht, Spalletti- ka testuar mbrojtësin e Bologna-s, Calafiori bashkë me Bastonin dhe Di Lorenzo-n. Mirëpo siç shkruan prestigjiozja italiane, Calafiori është testuar edhe në mesin e fushës.
“Ai [Spalletti] po kërkon një mbrojtës që mund të shkojë lart dhe të nisë lojën, siç ndodh me anglezin Stones, që shpesh avancohet përpara nga Guardiola tek Manchester City”, shkruan Corriere dello Sport.
E duket se Spalletti do të luajë me mbrojtjen me tre vetë ndërsa mesi i fushës do të përbëhet nga dy lojtarë.
Qëllimi i italianit është që përballë Shqipërisë një nga mbrojtësit të avancojë në mesin e fushës duke krijuar hapësira për Jorginho-n dhe Barella-n.
Corriere shkruan se pikërisht formacioni kundër Shqipërisë ka qenë një nga “dhimbjet e kokës” për Spalletti-n.
Kuqezinjtë luajnë me një sulmues qendror dhe për këtë arsye ai ka provuar mbrojtjen me 4 lojtarë, por pas miqësoreve të fundit shkoi drejt formacionit 3-4-2-1.
Gjithnjë sipas Corriere pritet të sqarohen disa pika. Bastoni duket i sigurtë për ta startuar ndeshjen. Calafiori duket se po fiton balotazhin ndaj Mancini-t dhe Buongiorno-s. Ndërsa Di Lorenzo ose Darmian do të plotësojnë treshen e mbrojtjes.
Në mesin e fushës nuk ka shumë dilema. Frattesi duket mirë dhe do të luajë. Po ashtu edhe Jorginho. Barella siç e thamë duket superior mbi Cristante-n.
Po ashtu i gatshëm edhe Dimarco. Chiesa mund të vendoset në të djathtë, nëse Spalletti nuk vendos për një lojtar krahu më mbrojtës.
Trajneri italian synon që të ndihmojë qendrën e sulmit Scamaça-n duke i afruar katër futbollistë. Kjo sipas Corriere-s mund të lejojë ndryshimin e formacionit gjatë lojës edhe në 4-3-3.