Dinamo ka marrë një fitore të merituar ndaj Skënderbeut në Korçë dhe në të njëjtën kohë ka kaluar Kastriotin në renditje, duke u pozicionuar në vend të tetë.
Kryeqytetasit morën tre pikë të vlefshme pas fitores minimale 1-0 ndaj korçarëve, megjithatë kanë dominuar dhe diktuar ritmin e kësaj sfide.
Goli i vetëm dhe i fitores për “blutë” e kryeqytetit u realizua në minutën e dytë nga Redon Mihana.
Pjesa e parë e këtij takimi u dominua nga Dinamo, ndërsa në fraksionin e dytë Skënderbeu ndryshoi fytyrë, por nuk ia doli të merrte barazimin.
Ndërsa edhe në këtë takim në stadiumin Skënderbeu ka pasur skena dhune, me tifozët që qëlluan arbitrin anësor, ngjarje e përsëritur kjo.
Pas kësaj sfide Dinamo renditet në vend të tetë me 23 pikë, teksa Skënderbeu vijon të qëndrojë i fundit me 17 pikë të grumbulluara në 24 ndeshje dhe në të njëjtën kohë shkon në 12 ndeshje pa fitore.