Nga Mero Baze
40 vjet më parë Gramoz Ruçi ishte Sekretar Partie në kooperativën e Progonatit në Tepelenë. Askujt nuk do t’i binte në sy, sikur Ramiz Alia, në përpjekje për t’u shfaqur si pasardhës i Enver Hoxhës do të bënte një vizitë në disa rajone të Shqipërisë, “për të pikasur të rinjtë” që i duheshin partisë. I ra rruga dhe nga Progonati, në një ditë të keqe me shi, ku dhe mund të kishte dështuar takimi.
Sekretari i Partisë , një i ri paksa më popullor se komunistët e tjerë klasikë, e shpëtoi situatën, duke sajuar një mjedis më të sigurt për takimin dhe një bisedë “vënçe” të Ramiz Alisë me njerëzit.
Disa muaj pas kësaj ngjarje, ai u njoftua se ishte emëruar Sekretar për Kulturën dhe Ideologjinë në Komitetin e Partisë në Tepelenë. Ishte rekomandim i Ramiz Alisë për “prurjet e reja” në Partinë e Punës, e cila sundohej ende nga bajlozët e vjetër të komunizmit.
Ndërsa prisja të më dilte e drejta e studimit para zyrave të Komitetit Ekzekutiv në Tepelenë më 10 Gusht 1984, pash se kishte të tjerë bashkëmoshatar të mi, që ishin aty që në mëngjes.
I paqartë se kur do të dilte lista, pyes njërin prej tyre.
M’u duk sikur nuk e kuptoi.
-Të pyeta për listën. Kur del?
-Po pra listën kam gjashtë vjet që pres. Besoj del tani nga dreka.
Ishte Arben Runa, me të cilën më pas u bëmë më shumë se shok. Nipi i RIza Runës, pjesëmarrës i Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, Komandantë i Luftës së Vlorës, shoqerues i Princ Vidit deri ne Gjermani dhe më pas autoriteti më i lart moral i Labërisë, kish pas problem me dy djemtë e tij, që shkuan me Ballin Kombëtar edhe pse dy te tjerë ishin me partizanet. Për këtë Arbeni nuk merrte dot më shkollë të lart. Vet babai i tij kishte qenë mësues deri në Kosovë, por siç thoshte ai me humor të zi, “këta të pyesin çfarë e ke pasur xhaxhain”.
-Sivjet kam shpresë tha. Gramoz Ruçi i ka dhënë fjalën babait dhe ka shkuar ta rregulloj këtë punë atje lart në Tiranë.
Kur doli lista ishin 72 nxënës me “biografi të keqe” që ishin bashkë me në të tjerët në lista. Kuptoheshin se të gjithë pasi e kishin mbaruar shkollën 3 deri 8 vjetë para nesh. Arbeni kishte fituar të drejtën e studimit për mjekësi.
Gramoz Ruçi, “si frymë e re” kishte marrë dosjet në makinë dhe kishte bërë betejë “atje lart” për t’u dhënë nxënëseve shkollë.
Ende sot kjo është ajo që i kujtohet në ky brez nxënësish në Tepelenë.
Pas dy vjetësh u hap fjalë “se e thirrën prapë lart”. Në fakt ishte një procedurë e rëndomtë e kualifikimit në Komitet Qendror të Partisë së Punës. Një lloj praktike se si duhet të funksiononte si drejtues i lart partie.
Pas gjashtë muajsh punësh të rëndomta në zyrat e Komitetit Qendror, Mihal Bisha, shefi legjendar i kuadrit, të Partisë së Punës e thirri për intervistë.
-Dua të di se çfarë mësove nga kjo praktikë gjashtë mujore, i tha.
-Patjetër. Kujdes, se përgjigjja është test për ty se je djalë i ri.
-Kur isha në Tepelenë Sekretar Komiteti dhe më thoshte po vjen një nga Komiteti Qendror, dilja me vrap në Ujë të Ftohtë dhe porositja drek me mish se “po vjen një nga lart”. Tani që u njoha kush jeni, e di vet kujt i jap drekë, kujt kafe, kujt ujë dhe kujt nuk i dal fare.
Ishte një radiografi e guximshme, për dikë që përballej me gërmadhat e Partisë së Punës në godinën qendrore të saj. Dhe u kthye Sekretar i Parë në Tepelenë.
Ideja se një Sekretar i Parë i ri, që nuk pyet shumë për partinë, kishte ardhur në krye të qytetit të vogël ishte legjendë urbane.
Por një ngjarje tjetër e forcoi këtë bindje në qytet.
Në Spanjë kishte vdekur Raul Marko, ish-sekretari i Partisë Komuniste Spanjolle, luajal me Enver Hoxhën, por që pas prishjes me Kinën kishte devijuar pak nga rruga jonë.
Partia e Punës vendosi ti ul Rangun e përfaqësimit në ceremoni të varrimit dhe Ramiz Alia dërgoi Gramoz Ruçin.
Udhëtimi i tij i parë në Perëndim, nga një qytezë e vogël dhe e varfër si Tepelena, në Madrid, përmes Italisë dhe pastaj me një veturë deri në Spanjë, ishte shokuese.
Kur u kthye në Tiranë gjeti të mbledhur një plenum partie.
Ramiz Alia e pa dhe e thirri në prani të disa byroistëve të tjerë.
-Pa hë mor djalë, na trego si ishte andej nga Spanja. Po na thuaj të vërtetën.
-Po ç’të të them shoku Ramiz. Furnizim kishte. Dyqanet ishin plot. Dhe punë kishte, njerëzia çaheshin pa gdhirë e iknin në punë. Të tjerat e dini vet.
Vizatimi i tij që vinte nga shokimi që kishte pësuar prej përballjes me Perëndimin, në një sallë ku diskutonin programin i tufëzave dhe arëzave, ishte sikur të talleshe me gjithë plenumin. Dhe ishte ajo që Ramiz Alia donte te dëgjonin te tjerët rrotull tij, nga një i ri i pafajshëm që kishte udhëtuar nga Salaria në Madrid.
Kjo legjendë mbërriti në Tepelenë përpara Gramozit dhe shumë vet mendonin se ky qe një nga ata tipat që mund ta vinin në rrezik komunizmin me gojën e shthurur dhe mungesën e respektit për partinë dhe pse jo si liberal.
Ky është paradoksi i madh i jetës së tij politike deri në Dhjetor 1990.
Kur në Tiranë shpërthyen protestat dhe regjimi u dorëzua, sikur nuk ekzistonte, Gramoz Ruçi mori një telefonatë ditën që në Sheshin Skënderbej njerëzit rrëzuan Monumentin e Enver Hoxhës.
Qeveria e Adil Çarçanit ishte rrëzuar dhe Fatos Nano ishte emëruar kryeministër i ri, nga një Këshill Presidencial në të cilin bënte pjesë dhe Sabri Godo si opozitar.
Telefonata e kërkonte urgjent në Tiranë, se ishte emëruar Ministër i Brendshëm.
Nga 23 Shkurti i 1991 deri më 8 Prill, pra për gati më pak se 40 ditë, ai ishte Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, një damkë që i ka mbetur deri në fund të jetës së tij politike si një keqkuptim i madh. Njeriu për të cilin shumica dyshonte se ia kishte me hile komunizmit, në fakt u bë simbol i komunistit në demokraci. Aq shumë u ngulit kjo fal dhe sulmit të pamëshirshëm që i bënim ne si opozitar, sa miliona shqiptarë mendojnë se Gramoz Ruçi ka qenë Ministër i Brendshëm që nga koha e Koçi Xoxes deri më 1990. Në fakt ai ka qenë 40 ditë më 1991 në demokraci me Fatos Nanon kryeministër. Por janë dy ngjarje të rënda që e ngulitën atë në mendjen e njerëzve. Revoltat e Shkollës së Bashkuar dhe gjendja e shtetrrethimit në Tiranë si dhe ngjarja e 2 Prillit në Shkodër. Ato u bën kalë beteje nga opozita dhe Gramoz Ruçi ishte tabela e qitjes, të cilën e pranonte edhe si fat edhe si sfidë.
Në verën e vitit 1992, ai shkoi i vetëm në Shkodër, duke zbritur në sheshin qendror të qytetit dhe deri në sallën e gjyqit për t’u ballafaquar me akuzën e ngritur ndaj tij për përgjegjësinë e ngjarjes së 2 Prillit. E fitoji betejën në sallë jo vetëm me gjyqtarët por dhe publikun e porositur që e priste si “kok turku”.
Ndryshe nga pasardhësit e tij të 21 Janarit 2011, që ende nuk janë ballafaquar në gjyq për vrasje të katër demonstruesve, ai shkoi aty dhe shpjegoi përgjegjësit e një policie që vepronte ende me Kodin penal të Enver Hoxhës dhe që mbrojtjen e institucioneve e shikonte si detyrë patriotike para jetës së njerëzve.
Përballja e tij e parë e fort në parlament me Sali Berishën, ishte sfiduese. Ndërsa Berisha e akuzonte për “komunist” ai që në atë kohë ishte 40 vjeç i tha.
-Zoti Berisha, aq vjet sa ke qenë ti komunist, unë jam gjithsej”.
Prej atëherë jeta e tij politike ndryshoi.
Nga një i ri që do të ndryshonte Partinë e Punës, ai mori pamjen e një “plaku” që do të mbante frenat e socialistëve që i ndryshuan emrin dhe historinë Partisë së Punës. AI u bë rrufepritësi i gjithë sulmeve të kundërshtarëve të Partisë së Punës, njeriu simbol që përfaqësonte komunizmin, dhe një argument i përhershëm përse socialistët e Fatos Nanos ishin të pareformuar, pasi “autentiku” ishte ai, “Gramozi i Komunizmit”.
Të njëjtën gjë bënin dhe brenda Partisë Socialiste.
Në luftërat e tyre të ndyra me njëra tjetrin, ndërsa Fatos Nano dergjej në burgun e Bënçës, grupet rivale me Fatos Nano e shikonin Gramoz Ruçin si pengesë për t’i marrë atij partinë dhe frymëzonin sulmet në shtypin kundërshtar. Mbaj mend se si tek gazeta Albania, “grupi i reformatorëve” sillte çdo kohë “materiale të gatshme kundër tij.
Në vitin 1996, i frymëzuar dhe nga beteja e brendshme e socialistëve kundër tij, Sali Berisha tentoi ta arrestoj duke shpërndarë më shpejt lajmin se sa dosjen.
Ishte një kërkesë e kundërshtarëve të tij në parti që ia kërkonin Berishës këtë nder, para Kongresit të Gushtit ku vendosej fati i Fatos Nanos.
“Nëse Gramoz Ruçi largohet, ne ja marrim partinë”. Ky ishte mesazhi i tyre për Berishën.
Dhe Berisha ua bëri nderin. Gramoz Ruçi u larua në mëngjes vere nga Tepelena në drejtim të Kakavijës i shoqëruar nga njerëz të policisë lokale. Berisha i tërbuar nga ikja e tij , filloi ta sulmoj duke shpikur se u arratis i veshur si grua.
Beteja e tij për ta zhburrëruar Gramoz Ruçin ishte qëllim i jetës, pikërisht pse Ruçi kishte formuar një personalitet të fort përball autoritetit të tij.
Gramoz Ruçi u rikthye në politikë në vitin 1997, për të dal prej saj sot.
Për 25 vite nga të cilat 17 vite Partia Socialiste ka qenë në pushtet, ai nuk pranoi të marrë asnjë post zyrtar në pushtet. Detyra e tij e vetme dhe më e lart ishte në Kuvendin e fundit ku pranoi të bëhej Kryetar i Kuvendit për ta dorëzuar sot.
Për tetë vitesh e pushtetit të parë socialist nga 1997 deri më 2005, ai ishte faktori që vendoste ekuilibrat në krizat ciklike të socialistëve shkaktuar sa nga papërgjegjësitë individuale të Fatos Nanos aq dhe nga arrivizmi dhe etja për pushtet e Ilir Metës.
Ai ishte personi kyç që bindi Partinë Socialiste të votonte Edi Ramën më 2005, dhe njeriu që qëndroi si garant i “pleqësive” të partisë sa herë kishte krizë.
Njeriu që gjithë jetën na ka treguar portretin nervoz, në të vërtet fshihte pas portretit të tij, një njeri shumë të komunikueshëm që realisht kishte asgjësuar sulmet ndaj tij nga parlamenti në parlament. Ai ishte mik i gjithë deputeteve të ashpër nga Azem Hajdari tek Sokol Olldashi, dhe jo aq armik me Berishën sa dukeshin nga larg. Për Lulzim Bashën s’po bëj komente, se e ka dhëndër të mikut.
Ishte një njeri që nuk u përball kurrë me kritikat në media. Për vite të tëra unë kam qenë një nga gazetarët që e kisha tabelë qitje, dhe kur takoheshim dukej sikur nuk kishte ndodhur asgjë.
Në vitin 2007, ndërsa Berisha kishte humbur qetësinë me mua, pasi i denoncova fillimin e biznesit të djalit të tij në Gërdec (ende pa shpërthyer), ky i fundit shpërtheu ndaj meje në grup parlamentar dhe kuvend, duke më etiketuar ndërkohë si “kapteri i Ruçit”. Nuk kisha lënë gjë pa shkruar për Ruçin dhe stili i Berishës ishte që tani unë të “prekesha thellë” e ti tregoja se unë nuk kam lidhje me Gramoz Ruçin.
Në fakt as kisha ndërmend. Po zbavitesha me Berishën dhe nervozizmin e tij.
Por më shumë u zbavita me Gramoz Ruçin në Kuvend, kur ju kthye Berishës.
-Zoti Berisha, ai që ti i thua “kapteri i Ruçit” ka qenë “gjenerali yt, se mua më ka nxirë jetën me shkrime. Dhe kur një komandant shet gjeneralët, ikën dhe vet.
ishte tipik një sulm lab, i plot, i poshtër ashtu si e meritonte. Por e mbajta veten dhe nuk e falënderova, pasi do të dukej hipokrizi.
Raportet e tij politike përveçse me Berishën ishin korrekte me çdo deputet apo ministër të PD. Pas përfshirjes së fëmijëve të Berishës në skandale financiare e maskara si ajo e Gërdecit, objektivi i Berishës ishte që çdo kundërshtar ta sulmonte nga fëmijët.
Dhe gjeti një aksident automobilistik të djalit Gramozit për të shpresuar se do ta kriminalizonte atë.
Qetësia me të cilën Gramozi e kaloi situatën dhe mënyra se si ai e përmbajti familjen e tij nga përfshirja në pushtet pas vitit 2013, në fakt bënin diferencën e madhe me Berishën dhe fëmijët e tij.
Kur Edi Rama po formonte kabinetin e vitit 2013 dhe siç ndodh rëndom, bën sikur konsultohet, u përpoq të suprizonte Gramoz Ruçin duke i thënë se Ministrin e Brendshëm do ta bënte nga Tepelena dhe kjo do ta “kënaqte” Gramozin.
-Ti bë si të duash, por unë dhjetë djem të kem, asnjë nuk të jap për Ministër të Brendshëm, i tha. Ajo çfarë kishte përjetuar nga ai post 40 dite, nuk ju nda 40 vjet.
Më 2017, ai mori përsipër të nxirrte Fierin me 9 deputet. Entuziazmi i Edi Ramës kur ai “shtiu 9 e mori 10” ishte përtej natyrës së tij të rezervuar për të çmuar dikë më shumë se vetia.
Ai e bëri Gramoz Ruçin Kryetar të Kuvendit, duke i dhënë në fund të jetës së tij politike, kënaqësinë e “pleqësisë” së parlamentit, detyrë që prej 30 vitesh e kishte bërë brenda socialistëve, që janë një fole grerëzash më e madhe se parlamenti.
Sot ai mbajti fjalimin e fundit duke u ndarë nga jeta politike. Eshtë një fjalim që nuk ke nevojë ta dëgjosh. Fuqia e një politikani qëndron tek fakti se sa gjatë ka fuqi të rrijë në politikë, pa qenë i bezdisshëm dhe i urryer. Gramoz Ruçi ia doli të rrijë dyzet vjet në politikë dhe të ikte kur donte vetë.
Kundërshtari i tij më i madh i tridhjetë viteve Sali Berisha sot ka fatin që Berisha i ndillte Gramoz Ruçit në vitet 90, si antiamerikan dhe armik i demokracisë. Ai është damkosur pikërisht nga SHBA, si minues i demokracisë, shantazhues i drejtësisë dhe përfitues i fondeve publike për shkak të pushtetit. Ai ka fatin që i ka ndjellë kundërshtarit të vet, pikërisht se ka qenë njeri i pavërtetë.
Gramoz Ruçi po largohet nga politika i duartrokitur shoqëria shqiptare, nga miqtë dhe armiqtë e tij. Sali Berisha po e mbyll i braktisur nga të gjithë jetën politike i braktisur nga të gjithë.
Dyzet e ca vjet qëndroi komunizmi tek ne dhe mezi e zbuam me dhunë. Gramoz Ruçi ishte “komunisti” që e pranuam të gjithë, për dyzet e ca vjet, Ne që nuk e donim, dhe ata që e adhuronin. Shyqyr që nuk ishin gjithë komunistët se ky, se do të ishim ende në komunizëm.