Kryesore “Dinte gjithçka për Shqipërinë”, ambasadori rrëfen takimin me mbretëreshën Elisabeth II

“Dinte gjithçka për Shqipërinë”, ambasadori rrëfen takimin me mbretëreshën Elisabeth II

Ambasadori shqiptar në Londër, Qirjako Qirko në një intervistë për Euronews Albania tregoi bisedën e fundit me mbretëreshën Elisabeth II.

Qirko u shpreh se mbretëresha dinte gjithçka që kishte të bënte me vendin tonë, për marrëdhëniet rajone dhe qëllimet.

Qirko tha se mbretëresha Elisabeth II, gjatë takimit i tha se Shqipëria po zhvillohet me ritme të shpejta dhe se është e sigurt që shumë shpejt do t’i bashkohet BE-së.

“Bëri një vlerësim të veçantë për arritjet e vendit tonë në 30 vitet e fundit. Më tha: ambasador Londra që shikoni sot është zhvilluar në qindra vite kur se për një kohë kaq të shkurtër kemi arritur shumë. Jam e sigurt që shpejt do i bashkoheni BE-së”, tha ambasadori.

“Ishte një takim i paharrueshëm. Sikurse u thashë që mbretëresha kishte informacion të jashtëzakonshëm, dinte gjithçka që kishte të bënte me vendin tonë, me marrëdhëniet rajone me aspiratat e vendit tonë për t’u anëtarësuar në BE”, u shpreh ambasadori.

Ai tregoi dhe shakanë me mbretëreshën për numrin e grave të punësuara në ambasadën e Shqipërisë në Londër.

“Pata rastin që të prezantoja stafin e ambasadës me mbretëreshën. Për balancën gjinore, gratë ishim më shumë dhe me shaka më tha që ‘jeni shumë mirë sa i përket balancës gjinore”, tregoi ai më tej.

Mbretëresha Elizabeth II ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare dhe hyri në histori si monarkja më jetëgjatë britanike. Elizabeth II ishte edhe mbretëresha më jetëgjatë e një vendi. Ajo qëndroi në fron për 70 vjet, nga viti 1952 kur mori postin pas vdekjes së babait të saj.