Nga Florion Metohu
U bënë javë tashmë që Kina është dukë u “dhuruar” miliona maska dhe kite testesh kundër koronavirusit shumë shteteve, sidomos atyre europianë, duke i servirur opinionit ndërkombëtar imazhin e një heroi me parzmore të shndritshme dhe një aktori të përgjegjshëm të skenës botërore, qëllimi i vetëm i të cilit është të shpëtoj ata që janë në nevojë.
Nuk mund ti shpëtonte këtij blici propagandistik as vendi jonë. Instituti i Shëndeti Publik, pak ditë më parë, me një postim në faqen e saj zyrtare ne facebook, i ka shprehur mirënjohjen e thellë ambasadës kineze për dhurimin e kiteve të testeve për koronavirusin, i cili po përhapet me shpejtësi në gjithë botën.
Sigurisht çdo lloj ndihme për Shqipërinë e vogël dhe të pamundur është e mirëpritur, sidomos kur je një nga vendet më të varfra të Europës dhe ke shumë pak mundësi financiare për tu përballur me emergjenca të tilla.
Por kur behët fjalë për ndihma me kite testes nga Kina më lindin disa pikëpyetje, sidomos pas raportimeve të shumta ditët e fundit në mediat ndërkombëtare.
Pyetja e parë që më vjen në mëndje është nëse me të vërtetë këto kite testesh janë dhuratë ashtu siç deklaron Instituti I Shëndetit Publik? Raportime të shumta të mediave kanë zbuluar që ndryshe nga sa është propaganduar, pjesa dërmuese e këtyre “dhurimeve”, janë në fakt produkte të blera nga vendet që i kanë marrë por që shiten në opinionin publik ndërkombëtar si zemërgjerësi e shtetit kinez.
Pyetja e dytë i drejtohet pikërisht ISHP? A janë bërë të gjitha verifikimet që këto kite janë efikase në zbulimin e pacientëve të infektuar? E them këtë sepse shumë shtete janë ankuar që këto kite të ardhura nga Kina shpesh kanë rezultuar jo efikase ose të skaduara. Ministria e Shëndetësisë e Çekisë pagoi 546,000 dollarë për 100,000 kite testesh por sipas faqes së portalit çek të lajmeve Expats.cz, deri në 80% të 150,000 kiteve të shpejtë të testimit të koronavirusit, që Kina i ka dërguar Republikës Çeke në fillim të muajit mars ishin jo funksionale Ndërkohë, Spanja, e cila është vendi i dytë me më shumë njerëz të infektuar dhe më shumë vdekje në botë pas Italisë, sipas gazetës spanjolle El Pais, zbuloi se kompletet e testit të shpejtë të koronavirusit të cilat i blinte nga kompania kineze Bioeasy, identifikuan saktë vetëm 30% të raste të virusit.
Drejtori i Qendrës Spanjolle për Shëndetin dhe Emergjencat, Fernando Simón, tha që Spanja testoi 9,000 nga kutitë e provës dhe do t’i kthejë ato bazuar në shkallën e tyre të lartë të gabimit.
Probleme të njëjta kanë pasur dhe shtetet e tjera si Turqia, Ukraina por edhe Italia ku trumbetohet me të madhe ndihma kineze. Edhe Kryeministri Igor Matoviç është ankuar se 1.2 milion testet e antitrupave që qeveria Sllovake bleu nga Kina për 16 milion dollarë nuk ishin në standardet e kërkuara. Mjaftojnë këto lajme të ditëve të fundit për ta ndërgjegjësuar ISHP-n se duhet të kryej testimet më të hollësishme për të provuar që këto teste janë efikase përpara se të përdoren ndaj pacientëve të ndryshëm.
Dhurata e kiteve të testimit për Shqipërinë është bërë në fakt nga Fondacioni “Mammoth” dhe janë prodhuar nga kompania kineze BGI me qendër në Shenzen. Por pse atëherë duhet të falenderohet ambasada kineze (shteti kinez)? Sigurisht këto kompani apo fondacione janë të kontrolluara prej saj por kur ndodhin probleme me cilësinë e produkteve është një mburojë e mirë për Kinën duke i etiketuar si kompani private, ashtu sic ndodhi me produktet skarco “made in China” të kompanisë kineze Bioeasy, të cilat Spanja i ktheu mbrapsht.
Kjo na çon te pyetja e tretë dhe kryesore: Pse gjithë ky zell në reklamimin e “ndihmës” që Kina po i jep botës? Të gjitha mediat botërore janë të mbushura me lajme që i thurin elozhe zemërgjerësisë së madhe kinezë. Por pse ky blic propagandistik?
Në radhë të parë, Kina do të fshijë nga memorja një të vërtetë të pakundërshtueshme: fshehjen që i bëri asaj që më vonë do të kthehej në pandemi botërore. Kërcënimit me burg ndaj mjekëve kinezë që zbuluan COVID-19 dhe kushdo tjetër që fliste, në fillim të përhapjes së tij. Duke mos informuar autoritet botërore të shëndetësisë mbi rrezikshmërinë e lartë infektive tw virusit, Kina u mohoi mundësinë për të marrë masa paraprake parandaluese, duke e shndërruar kështu nga një sëmundje me përhapje lokale në një pandemi globale. Kina do me çdo kusht që të harrohen këto veprime të saj me humbje katastrofike si në aspektin njërëzor ashtu edhe ekonomik për të gjithë planetin.
Ajo po mundohet që, me anë të një bombardimi propagandistik mediatik, ta fshijë nga memoria botërore këtë imazh prej fajtori dhe na servir një narrative me remineshenca romantike, të një kalorësi fisnik mesjetar në ndihmë të vendeve në nevojë.
Kjo narrativë, që shumë ekspert të marrëdhënieve ndërkombëtare po e etiketojnë si Diplomacia e Maskave, i shërben dhe interesit të Kinës për të rritur influencën përtej kufijve dhe raporteve të saja tradicionale. Duke krijuar miq të rinj me anë të korona-diplomacisë dhe duke glorifikuar sistemin e saj qeverisës për efikasitetin në veprimet për të kontrolluar pandeminë, Kina i ofrohet komunitetit ndërkombëtar si një model alternative zhvillimi dhe qeverisje, kundrejt atyre perëndimore.
Shtetet e tjera janë akoma të impenjuara në përballimin e emergjencës shëndetësore por kur e gjithë kjo të mbaroj, nuk duhet harruar që ti kërkohet llogari Kinës për veprimet e saj të papërgjegjshme dhe dëmet kolosale njerëzore dhe ekonomike. Nuk duhet pranuar që t’ia hedhë me ca kite testesh dhe ca maska për fytyrën sepse jeta dhe dinjiteti i të gjithë neve vlen më shumë se aq.