Futuristike, moderne, tradicionale apo natyrale. Idetë për rindërtimin e Notre Damit që u dëmtua muajin e kaluar si pasojë e zjarrit, janë të panumërta. Disa serioze, disa të çmendura, arkitektët po i përgjigjen masivisht sfidës së një kompeticioni ndërkombëtar për projektin e rindërtimit të ikonës së Parisit.
Në një nga projektet e paraqitura, mund të ecësh nën pemë, nën një çati prej xhami. Në një tjetër, turistët mund të shijojnë kryeqytetin francez nga një kopsht në çatinë e katedrales.
Ka edhe një propozim më fetar, një çati dhe një spirale të bëra tërësisht prej xhami.
Për arkitektin Aleksandër Chassang, duhet hapur debati. Nuk kemi përse të ndërtojmë një katedrale identike. Ne mund ta rindërtojmë atë në mënyrë bashkëkohore duke respektuar trashëgiminë e ndërtesës.
Duke i bërë jehonë memorialit të kullave binjake në Nju Jork, arkitektë të tjerë imagjinojnë zëvendësimin e kullës së shembur nga zjarri, me rreze të thjeshta drite.
Turistët që kanë parë projektet, kanë patur reagime të ndryshme.
“Ndoshta është pak e tepërt, mendoj. Po i largohemi origjinalit”, thotë një prej tyre ndërkohë që të tjerë janë të kënaqur me hapësirat e gjelbra.