Në disa pjesë të Ukrainës po përgatiten korridoret e evakuimit, tha ditën e sotme Mykhailo Podoliak, kreu i zyrës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Në Mariupol dhe Volnovakha po përgatiten për hapje korridoret e evakuimit humanitar. Palët pushuan përkohësisht zjarrin në zonën e korridoreve,” tha Podoliak në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.
Më herët të shtunën, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se do të ndalojë bombardimet e Mariupolit dhe Volnovakha-s për të lejuar që civilët të largohen në mënyrë të sigurt nga shtëpitë e tyre.
Zyrtarët perëndimorë kanë vënë re një zhvendosje në strategjinë ruse nga objektivat ushtarake tek civilët, me më shumë sulme të fokusuara në qendrat e popullsisë.