Protesta kundër rritjes së çmimeve janë duke u zhvilluar paralelisht në disa qytete të Shqipërisë pasditen e së enjtes.
Për të dytën ditë me radhë, qindra qytetarë janë mbledhur para Kryeministrisë për të protestuar kundër rritjes së çmimit të naftës dhe produkteve të tjera bazë.
Me pankarta në duar, ata kanë bërë thirrje për uljen e disa taksave që përfshihen në çmimin e karburantit në mënyrë që t’u lehtësohet kostoja e jetesës.
Sot është vënë re shtrëngimi i masave të policisë me shtimin e efektivëve dhe kordonit policor, ndryshe nga një ditë më parë.
Pakënaqësia për rritjen e çmimit të naftës nuk është shprehur vetëm në Tiranë. Edhe në qytetet e tjera të vendit është kërkuar frenimi i rritjes së çmimeve duke protestuar në rrugë e sheshe.
Qytetarët do të vazhdojnë sërish të protestojnë deri të shtunën, ndërsa presin reflektim nga qeveria.
Ndërsa kryeministri Edi Rama paralajmëroi një bashkëbisedim me qytetarët pasditen e së enjtes për çështjen e rritjes së çmimit të karburanteve, por nuk priti orarin për t’u kthyer përgjigje pyetjeve të qytetarëve në rrjetet sociale. Rama thotë se rritja e çmimeve vjen për shkak të luftës dhe bursave ku është e kuotuar nafta që hidhet në tregun tonë.
Rama tha se qeveria po harton një strategji për përballimin e situatës të cilën do ta prezantojë brenda javës.
“Ne do të kemi gati disa skenarë brenda javës, te cilët po i hartojmë duke marrë ne konsideratë çdo opsion të mundshëm! Por e përsëris, këtu duhet durim dhe kurajë, sepse kjo çmenduri sapo ka nisur dhe e përsëris, nuk e dimë sa zgjat. Mund të mbyllet shpejt, por mund edhe te mos mbyllet!”