Bota Dita e Fitores në Rusi, Putin: Të bashkuar jemi të pamposhtur

Dita e Fitores në Rusi, Putin: Të bashkuar jemi të pamposhtur

Rusia përkujtoi të shtunën 75-vjetorin e fitores së ushtrisë sovjetike ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, edhe pse epidemia e koronavirusit detyroi autoritetet të kufizonin celebrimet, që shihen si një mbështetje për presidentin Putin.

Me rritjen e infeksioneve të COVID-19, vetë Putin muajin e kaluar shtyu për një afat të pacaktuar pjesët kyçe të përvjetorit të Ditës së Fitores, që zakonisht shoqërohet me një paradë të armatimeve më të sofistikuara ruse në Sheshin e Kuq të Moskës.

I veshur me një xhaketë të zezë shiu, Putin vendosi një buqetë me trëndafila të kuq tek memoriali i Flakës së Përjetshme, që ndodhet jashtë mureve të Kremlinit.

“Veteranët tanë luftuan me jetën e tyre kundër vdekjes. Ata do ta mbajnë përherë me vete unitetin dhe qëndresën e tyre. Ne jemi të bashkuar nga kujtimet tona, shpresat tona, aspiratat dhe përgjegjësia për të tashmen dhe të ardhmen. Ne e dimë mirë dhe besojmë fuqishëm se kur jemi të bashkuar jemi të pamposhtur. Gëzuar ditën e fitores. Urra!”, deklaroi Putin.

Më pas, një kolonë ushtarësh marshoi në qendër të kryeqytetit, ndërsa një bandë ushtarake performoi himnin kombëtar të Rusisë.

Në qiell, 75 helikopterë dhe avionë ushtarakë, përfshirë ata “Sukhoi Su-57”, më të avancuarit e ushtrisë ruse, fluturuan pavarësisht reve të zeza.

Moska dhe rajone të tjera të vendit iu nënshtruan bllokadës së vendosur nga fundi i marsit në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit, që deri më tani ka infektuar mbi 198 mijë e 600 rusë.

Shifra tejkaloi këtë javë rastet e infektimit në Francë dhe Gjermani duke e kthyer Rusinë në vendin e pestë më të prekur në botë.