Pas ceremonisë me kampionen e Europës në atletikë, Luiza Gega, kryeministri Edi Rama ka pritur këtë të martë në zyrë një tjetër kampion, boksierin shqiptar Florian Marku.
“I nderuar nga vizita e një tjetër ylli të sportit shqiptar, superstarit të ringut Florian Marku, që të enjten synon në Air Albania Arena gjerdanin e madh të kampionit të kategorisë sipërore WBC”, shkruan Rama bashkëngjitur disa fotove nga takimi.
Florian Marku do të ndeshet ditën e enjte në Air Albania ndaj meksikanit Miguel Parra Ramirez.
“Të enjten në 25 gusht unë nuk jam fizikisht këtu, por duhet të shkojmë të mbështesim Florianin, është për WBC me një meksikan. Florian Marku me maksikanin, tani o me meksikanin o me Florianin, nuk ka rrugë të mesme. Do jetë spektakël që do transmetohet edhe nga Sky Sports”, u apeloi Rama.
Nga ana e tij, Marku i dhuroi kreut të qeverisë një dorezë simbolike boksi me nënshkrim, si dhe gjerdanin e artë të kampionit.