Në qoftë se ka pasur një linjë të përbashkët të ditës së parë të konventës republikane në Charlotte, ku morën fjalën personazhe me histori shumë të ndryshme nga njëri tjetri, ajo përmblidhet në pohimin “Nuk jemi racist!”.
E përmendi i pari vetë djali i presidentit amerikan, Donald Trump Jr. “Ajo që i ka ndodhur George Floyd ishte e tmerrshme, dhe po të njihni një punonjës policie, do ta thotë pranojnë edhe ata. Ne duhet t’i themi jo racizmit, por policët mbeten heronjtë amerikanë”, deklaroi ai.
Ende më direkt mesazhi i Nikki Haley, e konsideruar si një nga yjet në rritje të republikanëve, e bija e një çifti emigrantësh indianë. “Amerika nuk është raciste, unë jam shembulli më i mirë. Presidenti Trump po na çon në një epokë të re mundësish”.
Ndërhyrja e fundit ishte pikërisht në këtë prizëm, me senatorin e vetëm republikan me origjinë afro-amerikane, Tim Scott. Përfaqësuesi i Karolinës së Jugut kujtoi se në 2010 fitoi kundër kandidatit Thurmond, djali i një senatori që mbështeste ndarjen raciale. “Në një elektorat të bardhë, më votuan nga personaliteti im, dhe jo nga ngjyra”, tha senatori, duke shtuar se “Amerika nuk do të kthehet pas”.
Organizatorë te fushatës së Trump janë të bindur se do të kenë sukses edhe në një pjesë të mirë të komunitetit afro-amerikan dhe latino-amerikan.