Shqipëria, ashtu si edhe shumë vende të tjera në mbarë botën, ka kujtuar 27 Janarin, ditën Ndërkombëtare të Holokaustit, në nderim të mbi 6 milionë viktimave që humbën jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Presidenti Bajram Begaj është shprehur krenar për vlerat e popullit shqiptar, i cili kurrë nuk bëri kompromis as me jetën e tij në mbrojtjen e kauzës së humanizmit.
Më tej, Presidenti Begaj shkruan se historitë e tyre, le të na shërbejnë që të kundërshtojmë urrejtjen, diskriminimin dhe çdo padrejtësi tjetër në dëm të njerëzimit.
“Në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, ne reflektojmë mbi miliona njerëz që u persekutuan dhe u zhdukën në një prej periudhave më të errëta të njerëzimit.
Krenar për vlerat e popullit shqiptar, i cili kurrë nuk bëri kompromis as edhe me jetën e tij në mbrojtjen e kauzës së humanizmit.
Le të na shërbejnë historitë e tyre që të kundërshtojmë me vendosmëri urrejtjen, diskriminimin dhe çdo padrejtësi tjetër në dëm të njerëzimit”, shkruan Presidenti Begaj.
Shqipëria është një nga të paktat vende, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore i hapi derën hebrenjve.