Nisi e qetë, por përfundoi ashtu si të tjerat, me shpërndarjen e protestuesve duke përdorur gaz lotsjellës. Ndryshe nga herët e tjera, në ditën e pestë të protestës për vrasjen nga policia të Klodian Rashës, protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej”. Prej andej u drejtuan për tek Ministria e Brendshme. Në shenjë simbolike, disa prej të rinjve u shtrinë përtokë përpara këtij institucioni.
Më pas u nisën drejt Bulevardit Dëshmorët e Kombit me destinacion sheshin përpara Kryeministrisë. Me parulla dhe thirrje, protestuesit kërkuan dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Edhe përpara godinës së Kryeministrisë, një pjesë e protestuesve u shtrinë në bulevard.
Më pas turma u drejtua për tek Drejtoria e Policisë së Tiranës. Por aty i priste një kordon policor. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë nuk lejuan që protestuesit t’i ofroheshin godinës së Policisë Tiranës. FNSH hodhi gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Protestuesit u larguan në drejtime të ndryshme. Kaq mjaftoi që forcat policore të nisnin shoqërimet dhe ndalimet e personave të dyshuar, duke i shoqëruar në komisariat.