Dita Botërore e Përkthimit është kremtuar sot në Tiranë me ngritjen e ateliesë së parë të përkthimit, ku do të trajnohen përkthyesit e rinj nga frëngjishtja në shqip.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Shqipëri, përmes një programi të dedikuar, do t’i japë zë zhvillimit mes dy kulturave. E pranishme në ceremoninë e prezantimit të kësaj atelieje përkthimi, ishte zv/ambasadorja e Francës në Shqipëri, Claire Nantier, e cila u shpreh se raportet historike në fushën e librit mes Shqipërisë dhe Francës kanë qenë të shkëlqyera dhe se ky program synon t’i zhvillojë më së miri ato. Profesor Edmond Tupja u shpreh se ky program është një nismë, e cila duhet të realizohet edhe në gjuhë të tjera.
“Po ikën një brez, i cili i ka dhënë shumë kulturës shqipe përmes përkthimit. Është koha të punojmë për krijimin e një brezi të ri përkthyesish”, tha Tupja.
“Sot është një ditë e rëndësishme për kulturën botërore. Është një ditë, e cila i lidh më shumë kulturat me njëra-tjetrën, por dhe që na kujton rëndësinë që ka njohja më së miri e vlerave tona të përbashkëta. Unë do të doja ta nisja fjalën time për këtë ditë me një nderim për të gjithë ata shqipërues që në vite kanë ndërtuar me punën dhe jetën e tyre një histori të përkthimit shqip. Vepra dhe puna e tyre ishte një model emancipimi për shoqërinë shqiptare, duke hapur dritaret e vogla drejt zhvillimit, sepse përkthimi nuk është vetëm gjuhë, ndjesi, mendim, por edhe zhvillim”, u shpreh drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli. Sipas saj, “përkthimi, komunikimi mes gjuhëve ka qenë një prioritet i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit që në ditët e saj të para. Programet e përkthimit, por dhe kooperimet ndërkombëtare, kanë pasur vetëm një synim, të bëjnë të pranishëm librin dhe kulturën shqiptare në gjuhë e kultura të tjera”.
Rexhep Hida, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, u shpreh se ka nevojë për nisma të tjera konkrete për të rritur ndikimin e librit shqip në botë.