Kosova shënoi ditën më të rëndë që nga shfaqja e pandemisë së COVID-19.
Autoritetet thanë se në 24 orët e fundit 16 veta humbën jetën duke e çuar në 212 numri i viktimave nga koronavirusi.
Brenda kësaj periudhe janë konfirmuar edhe 258 raste të reja të të prekurve nga 480 të testuar.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se Prishtina me 53 veta ka numrin më të lartë të rasteve konfirmuara në 24 orët e fundit.
Rastet e së enjtes e çuan në 8 mijë e 104 numrin e përgjithshëm të të infektuarve, nga të cilët deri tani të shëruar janë shpallur 4 mijë e 463 raste, ndërsa 3 mijë e 429 mbeten raste aktive.
Që nga 1 korriku, në Kosovë janë regjistruar 158 vdekje si pasojë e infektimit me koronavirus.
Autoritetet po bëjnë thirrje për kujdes pasi që sipas tyre spitalet e Kosovës po përballen me mbingarkim të kapaciteteve pasi që aktualisht Kosova ka rreth 700 shtretër për të trajtuar të sëmurët me COVID-19.
Të martën qeveria e Kosovës miratoi një sërë masash përmes të cilave synohet frenimi i përhapjes së COVID-19. Masat kufizojnë lëvizjet e qytetarëve në disa qytete të vendit, lëvizjen e të moshuarve dhe atyre me sëmundje kronike si dhe grumbullimet e më shumë se pesë personave në një hapësirë.
Bashkësia Islame e Kosovës vendosi të pezullojë faljen e Bajramit dhe veprimtaritë tjera për dhjetë ditë për shkak të situatës me COVID-19.
Në një porosi drejtuar besimtarëve, kryetari i kësaj bashkësie, myftiu Naim Tërnava, bëri thirrje që të ruhet shëndeti i qytetarëve në kohën e krizës me koronavirus.