Opinione Ditët e fundit të korrupsionit

Ditët e fundit të korrupsionit

Nga Lutfi Dervishi

Në një lëvizje të befasishme që kërkon imagjinatë të ndezur dhe stomak të fortë, qeveria njoftoi krijimin e një drejtorie Antikorrupsion.

Sikur të mos mjaftonte Drejtoria Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë, me 44 koordinatorët antikorrupsion që enden si shpirtra të lirë, vendi gjithashtu ka edhe një Ministër  Antikorrupsion. Kjo sa i përket qeverisë.

Megjithë bojkotin e opozitës Shqipëria ka edhe një komision parlamentar antikorrupsion. Kur bëhet fjalë për të luftuar korrupsionin, një komision i vetëm nuk mjafton. Duhen disa që të përballen me këtë demon të përhershëm.

Dhe këto komisione nuk kanë lidhje me thënien: “nëse do që të mos e trajtosh një problem, ngri një komision për atë problem. Jo krejt e kundërta sepse ne kemi një strategji gjithëpërfshirëse.

Pritet që lufta kundër korrupsionit të përshkallëzohet edhe më tej me… një Konferencë Kombëtare Antikorrupsion! Imagjinoni një sallë plot me zyrtarë që mbajnë fjalime të zjarrta për integritetin dhe transparencën.

Pas nuk do të mbetet as pushteti lokal. Një rruge kryesore në çdo qytet do  t’i vendoset emri “Antikorrupsion”. Imagjinoni qindra mijëra shoferë dhe këmbësore shohin emrin e rrugës dhe ndërgjegjësohen për të keqen dhe do të ndëshkojnë me votë ata që korruptohen.

Por një  ndryshim do të bëhet edhe te semaforët. Kur të shfaqet ngjyra e kuqe do të lexohet “Stop korrupsionit”. Ngjyra e gjelbër do të ketë tabelën: Shqipëria në BE.

Faza përmbyllëse e strategjisë antikorrupsion do të jenë medaljet antikorrupsion. Kryeministri do të nderojë luftëtarë vendas dhe të huaj me medaljen më të lartë Antikorrupsion i klasit parë.

Por, surprizën e surprizave e ka rezervuar finalja e madhe: Festivali Antikorrupsion! Krahas këngëve me temë korrupsionin do të ketë edhe një konkurs bukurie ku garuesit tregojnë përkushtimin e tyre ndaj transparencës. Çmimi i madh? Një praktikë njëvjeçare në Drejtorinë e re Kundër Korrupsionit.