Për Ditmir Bushatin, kompromisi me opozitën për të qenë jo të ndarë, por të ndryshëm, është domosdoshmëri që një mazhorancë të mos sundojë por të qeverisë.
“Situata e pazakontë që po përjeton opozita duhet të na shqetësojë se jeta politike në një republike parlamentare nuk funksionon normalisht pa pasur alternativë përkundrejt shumicës.
E kam bindjen që Shqipëria do ishte në pararojën e vendeve të rajonit në procesin e anëtarësimit e mbase dhe anëtare nëse do ishin krijuar kushtet për një klimë më përbashkuese në këto tre dekada.
Për fatet e përbashkëta të atdheut fjala kompromis nuk duhet konsideruar kurrë as si pazar i rëndomtë as si fjalë e ndyrë.
Me opozitën ne s’kemi nevojë të jemi të ndarë, por të ndryshëm.
Opozita është mekanizmi i balancimit real jo i përjashtimit apo përplotësimit formal.
Vetëm kështu do mundet që ne të qeverisim pa sunduar për një Shqipëri ku ia vlen të jetosh”, tha ndër të tjera Bushati në fjalën e tij në Kongresin e PS.